Kuriozitete

Itinerari të ri ndërkontinental/ Fluturimi më i gjatë në botë, 29 orë në ajër

Më 4 dhjetor 2025, linja ajrore kineze China Eastern Airlines do të nisë për herë të parë një itinerar të ri ndërkontinental që lidh Shangain me Buenos Airesin. Fluturimi do të zgjasë 29 orë dhe përfshin një ndalesë dy-orëshe në Auckland të Zelandës së Re, ku pasagjerët nuk do të kenë mundësi të zbresin nga avioni.

Sipas njoftimit të kompanisë, udhëtimi do të përshkojë mbi 20,000 kilometra, afërsisht gjysmën e perimetrit të planetit. Fluturimi vajtës do të zgjasë 25 orë, ndërsa ai kthim 29 orë. Itinerari do të operohet dy herë në javë me avionin Boeing 777-300 ER.

Çmimi i biletave vajtje-ardhje për klasën ekonomike në dhjetor varion nga 1,300 deri në 2,000 euro, ndërsa për klasën biznes arrin rreth 4,000 euro.

Edhe pse ky fluturim do të hyjë në listën e itinerareve më të gjata në botë, ai nuk fiton titullin e udhëtimit më të gjatë direkt, pasi përfshin ndalesë teknike. Aktualisht, rekordin e mban Singapore Airlines, me fluturimin Singapor–Nju Jork (JFK), që zgjat 18–19 orë pa ndërprerje.

Ndërkohë, linja ajrore australiane Qantas planifikon të nisë së shpejti projektin “Sunrise”, me fluturime direkte rekord nga Sidnei për në Londër dhe Nju Jork.

Të Ngjashme