Lajme

Izraeli publikon hartën: Shikoni sa larg mund të arrijnë raketat e Iranit

Forca Mbrojtëse e Izraelit (IDF) ka publikuar një grafik që vlerëson rrezen e veprimit të arsenalit balistik të Iranit, i cili sugjeron se pothuajse e gjithë Evropa, përfshirë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, është tani brenda rrezes së veprimit të raketave të lëshuara nga Irani.

Ky njoftim pasoi tentativën e djeshme të sulmit në bazën e përbashkët ushtarake SHBA-Britani Diego Garcia në Oqeanin Indian, në të cilën u përdorën dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

Raketa balistike me rrezen më të gjatë veprimi të Iranit në përdorim operacional, Sajjil, mund të arrijë deri në 2,000 kilometra, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një grup britanik i ekspertëve të sigurisë i specializuar në mbrojtje.

Dronët sulmues iranianë Shahed vlerësohet se kanë një rreze maksimale të ngjashme veprimi.

Irani ka vite që zhvillon raketa balistike me rreze të mesme veprimi si një element kyç të strategjisë së tij ushtarake.

Sisteme si Sajjil, Ghadr dhe Emad i lejojnë atij të mbulojë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor.

I kombinuar me dronët sulmues, të cilët përdoren si për zbulim ashtu edhe për sulme të drejtpërdrejta, Irani ka aftësi që mund të kërcënojnë bazat ushtarake, infrastrukturën energjetike dhe rrugët detare në rajon.

“Regjimi terrorist iranian lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi për herë të parë që nga fillimi i operacionit, që mund të arrijë një distancë prej 4,000 km”, thuhet në postimin e IDF.

“Gjatë Operacionit Roaring Lion në qershor 2025, IDF zbuloi se regjimi iranian ka ndërmend të zhvillojë raketa me një rreze veprimi prej 4,000 km, të cilat përbëjnë rrezik për dhjetëra vende në Evropë, Azi dhe Afrikë”, shton ai.

“Regjimi iranian e mohoi këtë. Ne e kemi thënë vazhdimisht: Regjimi terrorist iranian përbën një kërcënim global. Tani, me raketa që mund të arrijnë Londrën, Parisin ose Berlinin, regjimi terrorist iranian ka kryer sulme kundër 12 vendeve në rajon dhe po zhvillon një aftësi që përbën një kërcënim shumë më të gjerë”, përfundon postimi. /Telegrafi/

❗️The Iranian terrorist regime launched a long-range missile for the first time since the start of Operation Roaring Lion that could reach a distance of ~4,000 km.

During Operation Rising Lion in June 2025, the IDF revealed that the Iranian regime has intentions to develop… pic.twitter.com/iliERIu2hV

— Israel Defense Forces (@IDF) March 21, 2026

Të Ngjashme