Kuriozitete

Ja çfarë do të thoshte që të ishe piloti kryesor i Pablo Escobar

Piloti kryesor i legjendarit të drogës Pablo Escobar ka rrëfyer për herë të parë historinë e tij në një podcast të ri, ku zbulon se fillimisht e kishte refuzuar ofertën e Escobarit për shkak se ishte i kënaqur me 4 milionë dollarë në muaj nga një kartel konkurrent.

Por, kur bosi i drogës i ofroi një pagë pesë herë më të madhe, 20 milionë dollarë në muaj, ai ndryshoi mendje dhe iu bashkua kartelit famëkeq.

Tirso ‘TJ’ Dominguez, i njohur si ‘Tito’, rrëfen në serialin dokumentar tetë-orësh Cocaine Air se jetesa luksoze dhe fuqia që erdhën me punën për Escobarin ishin të jashtëzakonshme. “Kisha 30 Lamborghini dhe vishesha mirë,” thotë ai. “Më sillnin një makinë që përputhej me këmishën që kisha zgjedhur atë ditë.

Dominguez u përfshi në trafikun e drogës në fund të viteve 1970, pasi humbi babanë dhe u detyrua të mbledhë fonde, duke filluar të pilotonte aeroplanë që transportonin marihuanë dhe më pas kokainë nga Kolumbia në SHBA.

Ai tregon se fillimisht refuzoi punën me Escobarin, duke thënë: “Po fitoja 4 milionë dollarë në muaj, pse të ndryshoja?”

Por oferta e Escobarit prej 20 milionë dollarësh në muaj, ekuivalente me rreth 60 milionë dollarë sot, ishte tepër e madhe për t’u refuzuar. Më vonë, duke ecur në rrugën e kartelit, Dominguez u bë edhe tregtar droge, duke transportuar, shitur dhe pastruar para.

Në vitin 1988, pas një sulmi të agjentëve federalë në vilën e tij në Florida, ai u arrestua dhe më pas u dënua me 13 vjet burg për trafik droge dhe pastrim parash. Gjatë vuajtjes së dënimit, ai arriti të blejë një helikopter nga brenda qelisë dhe tentoi një arratisje, por u kap sërish.

Sot 73-vjeçar, Dominguez thotë se e ka paguar borxhin ndaj shoqërisë dhe aspiron të jetë një biznesmen i ligjshëm. “Dështimi është kur dorëzohesh,” thotë ai. “Nëse rrëzohesh, rrëzoju përpara. Kjo do të thotë që ke fituar dy hapa.

Historia e tij ofron një pasqyrë të rrallë në botën e errët të kartelit të drogës më të famshëm në histori dhe dëshmon se çfarë mund të tërheq një njeri drejt rrugëve të rrezikshme të krimit. Syri.net-CNN.gr

Të Ngjashme