Hulumtimet mbi efektet e kafesë në trupin e njeriut vazhdojnë, dhe këtë herë shkencëtarët kanë zbuluar se gratë mund të përfitojnë nga një mënyrë më e shëndetshme plakjeje falë konsumit të saj.
Një studim i paraqitur në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqyerjen raporton se gratë që konsumonin rreth tre filxhanë të vegjël kafeje në ditë kishin më shumë gjasa të mbeteshin fizikisht aktive dhe të lira nga sëmundje kronike apo probleme njohëse në moshë të avancuar.
Më shumë se 47,000 persona të moshës 45 deri në 60 vjeç morën pjesë në këtë studim.
Ndërsa shkencëtarët nuk dhanë të dhëna të sakta mbi konsumin e kafesë tek gratë që nuk plotësonin kriteret për plakje të shëndetshme, ata vunë re se çdo filxhan shtesë në ditë gjatë moshës së mesme rrite shanset për të jetuar mbi 70 vjeç me shëndet të mirë deri në 5%.
“Këto rezultate, megjithëse paraprake, sugjerojnë se zakonet e vogla, por të qëndrueshme, mund të kenë ndikim të madh në shëndetin afatgjatë,” deklaroi Sarah Mahdavi, një nga autoret e studimit dhe asistente profesoreshë e shkencës ushqyese në Universitetin e Torontos, sipas Euronews.
Ky hulumtim përputhet me studime të tjera që kanë sugjeruar përfitime të mundshme të kafeinës për organizmin. Një studim i publikuar në European Heart Journal në janar raportoi se pirja e kafesë në mëngjes lidhet me një rrezik më të ulët vdekshmërie krahasuar me konsumimin e saj gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë, një studim i vitit 2018 i botuar në European Journal of Epidemiology tregoi se konsumi i kafesë lidhet me një rrezik më të ulët vdekjeje tek gratë.
Tek burrat, kafeja duket se shoqërohet me më pak vdekje nga sëmundjet e frymëmarrjes, por me rritje të rrezikut për vdekje nga kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Megjithatë, kafeja nuk është pa rreziqe. Konsumi i tepruar mund të ketë efekte negative, veçanërisht tek personat me probleme kardiovaskulare ose çrregullime të gjumit. Një studim i fundit nga Universiteti i Montrealit, i publikuar në Communications Biology, zbuloi se kafeina ndikon në aktivitetin e trurit edhe gjatë gjumit. Syri.net-iefimerida
