Ndonjëherë, pyetjet më të mëdha lindin nga gjërat më të vogla. Sa yje ka në galaktikën tonë? Sa kokrra rëre fshihen në shkretëtirën e Saharasë? Apo, më e çuditshmja nga të gjitha sa milingona jetojnë në Tokë?
Dikur, këto pyetje tingëllonin si lojë fëmijësh, pa përgjigje reale. Por sot, me ndihmën e teknologjisë së avancuar, inteligjencës artificiale dhe metodave të reja shkencore, studiuesit po arrijnë të japin përgjigje që na lënë pa fjalë. Dhe kur vjen fjala për milingonat, planeti ynë mund të konsiderohet pa frikë një… mbretëri e tyre.
Sipas një studimi të fundit të realizuar nga biologët Sabine Nutten dhe Patrick Sulteis në Universitetin e Ëürzburgut, në Tokë jetojnë rreth 20 kuadrilion milingona. Po, 20 me 15 zero pas. E thënë ndryshe, për çdo njeri në planetin tonë, ka gati 2.5 milionë milingona.
Ky numër marramendës u arrit duke analizuar të dhëna nga 489 studime të ndryshme në mbarë botën, të cilat përfshinin habitatet, ku jetojnë këto insekte që nga pyjet tropikale, deri në zonat më të thata dhe të izoluara të planetit.
Por nuk është vetëm numri ai që trondit. Masa e përgjithshme e milingonave është më e madhe se biomasa e të gjithë zogjve dhe gjitarëve të egër së bashku. Madje, përfaqëson rreth 20% të biomasës së njerëzimit. Pra, këta insekte të vegjël luajnë një rol ekologjik shumë më të madh sesa mund të mendohet në pamje të parë.
Ajo që i bën milingonat edhe më interesante është mënyra se si funksionojnë. Nuk kanë një lider të vetëm apo një ‘kapiten’, por mbështeten tek puna kolektive dhe organizimi i brendshëm i kolonive. Disa kujdesen për të vegjlit, të tjera gjejnë ushqim, ndërsa disa luftojnë për mbrojtjen e të gjithëve.
Truri i një milingone nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme në vetvete, por kur mijëra milingona bashkëpunojnë, krijojnë struktura dhe rrjete që rivalizojnë edhe sistemet më të avancuara të inteligjencës. Kolonitë e tyre janë një pasqyrë e organizimit perfekt dhe efikas.
Në ekosistem, milingonat janë punëtore të palodhura. Ato ndihmojnë në riciklimin e lëndëve ushqyese, përhapin fara, shpërbëjnë materiale të kalbura dhe përmirësojnë pjellorinë e tokës. Shkencëtarët vlerësojnë se, për çdo hektar, ato lëvizin deri në 13 tonë tokë në vit një ndihmesë e pazëvendësueshme për rigjenerimin natyror të pyjeve.
Por jo gjithçka është pozitive. Disa specie, si milingona e zjarrit, janë pushtuese dhe po dëmtojnë biodiversitetin lokal në shumë zona. Si gjithmonë, natyra është në ekuilibër të vazhdueshëm dhe kur një specie del jashtë kontrollit, pasojat mund të jenë të rënda.
Studimet si ky mbi milingonat nuk janë thjesht për kuriozitet. Ato ndihmojnë në hartimin e politikave të ruajtjes së natyrës dhe në përcaktimin e zonave ku ndërhyrja njerëzore duhet të jetë më e kujdesshme. Sepse ku ka shumë milingona, zakonisht ka një ekosistem të gjallë dhe të shëndetshëm. Syri.net-iefimerida
