Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka nisur vizitën zyrtare në Japoni me një takim në Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), ku është pritur nga Drejtori për Lindjen e Mesme dhe Evropën, Kotaro Tanaka.
Në takim, në të cilin ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, u konfirmua bashkëpunimi ekzistues ndërmjet Kosovës dhe JICA-s, si dhe gatishmëria për thellimin e tij në fusha me interes të përbashkët.
Jagxhiu falënderoi JICA-n për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në fusha si menaxhimi i mbeturinave, luftimi i ndotjes së ajrit, siguria ushqimore dhe transformimi digjital.
Ai veçoi edhe programet e trajnimit për shërbyesit civilë, përfshirë Programin për Bashkë-Krijimin e Njohurive dhe Akademinë Digjitale, si dhe projektin aktual për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje, që synon forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë.
Gjatë takimit, Jagxhiu prezantoi prioritetet e Ministrisë në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, duke theksuar reformat dhe iniciativat kryesore që po zbatohen, me synim që transformimi digjital të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai dhe drejtuesit e JICA-s diskutuan gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në transformimin digjital dhe reformën e administratës publike, si dhe për forcimin e lidhjeve zhvillimore dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Në këtë kontekst u theksua edhe rëndësia e këtyre reformave për procesin e integrimit evropian të Kosovës, ndërsa bashkëpunimi me JICA Digital Transformation DXLab u vlerësua si i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale publike dhe shërbimeve, përfshirë edhe shëndetësinë digjitale.
