Muaji Shtator nisi me pak vështirësi në skenën planetare, por do të vijojë dhe përmbyllet më së miri. Sipas parashikimit të Krisanthi Kallojerit në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, është momenti të punojmë fort në mënyrë që gjatë pjesës së dytë të tij të shijojmë suksesin.
Java do të fillojë me përfundimin e prapavijës së Afërditës që do të thotë se jeta e përditshme do të lehtësohet. Gjithashtu do të marrim në konsideratë marrëdhëniet dhe financat tona duke bërë një bilanc që do të përfundojë muajin e ardhshëm. Fundjava do të jetë më e favorizuara për shenjat sepse do të ketë përfitime të mira.
Krisanthi Kallojeri: Shtatori është një muaj i rëndësishëm. Filloi pak me pengesa, me vonesa, me vështirësi por duhet të ngremë barrën e përgjegjësisë në gjysmën e parë të Shtatorit, të bëjmë një organizim të mirë të jetës së përditshme dhe t’i rikthehemi pak së kaluarës ku kemi disa defekte me qëllim që organizimi të bëhet në bazë të periudhës të së kaluarës sepse Shtatori është rifillimi i një viti pas pushimeve, si e hëna pas të dielës. Në pjesën e parë të Shtatorit të ngremë mëngët, t’i përvishemi punës dhe me hënën e re në datën 15 që është pak zhgënjyese duhet të jemi sa më afër realitetit në mënyrë që të kemi suksesin në anën tonë në pjesën e dytë të Shtatorit.
Kjo javë është shumë pozitive. Afërdita kthehet në kurs të drejtë, pra marrëdhëniet, bashkëpunimet, jeta emocionale, çështjet ekonomike që deri tani kishin kaluar disa pengesa do të gjejnë rrjedhën normale. Të gjithë ju që keni krijuar një lidhje emocionale, keni filluar një dashuri të re, keni ndërmarrë një investim të ri, gjatë periudhës nga fundi i Korrikut e deri sot, prej sot e deri më 9 Tetor do nxirrni konkluzionet nëse keni bërë mirë, nëse lidhja do të vazhdojë, nëse investimi ekonomik e financiar është i drejtë. Do të vendosen pikat mbi “i” për sa i përket marrëdhënieve personale dhe çështjeve financiare.
Sot do të krijoni kontakte, do të bisedoni dhe do të keni rezultate pozitive veçanërisht nga pasditja e tutje. Të mërkurën që në orën 10:00 e deri në orën 15:00-16:00 përpiquni të zgjidhni çështjet burokratike, gjeni këshillën apo idenë që do ju udhëheqë në zgjidhje dhe evitoni nervozizmin. Në fundjavë, veçanërisht të premten, përfitoni në çdo drejtim për arsye se do të jenë ditë me fat për të gjithë për çështje ekonomike, bashkëpunime financiare të suksesshme por edhe për jetën personale.
Krisanthi ka gjithashtu edhe një këshillë për të gjithë.
“Mos e lini javën dhe mos e shpenzoni thjesht për të kaluar bukur. Edhe sikur diçkaje mos t’ia shihni menjëherë rezultatet, të dini se ato zhvillime që do të keni këtë javë do t’i japin edhe pak më vonë rezultatet dhe të mirat e tyre”, përfundon astrologia.