Pesë persona janë vrarë brenda një jave në Kosovë, duke u konsideruar shifra alarmuese për ekspertë të sigurisë.
Rasti i parë i cili ndodhi në një lokal në Gjakovë, ku pronari i lokalit dyshohet se shtiu me armë në drejtim të dy viktimave, më vonë ai u vetëdorëzua dhe dorëzoi një revole.
Policia e cilësoi “vrasje të rëndë”, ndërsa në vendin e ngjarjes u sekuestrua edhe një thikë.
“Rr. Vëllezërit Frashëri, Gjakovë 16.03.2026-05:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pronar i një lokali kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, njëri nga viktimat nga plagët e marra kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe një mjet i mprehtë (thikë). Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. I dyshuari është vet dorëzuar dhe ka dorëzuar një revole. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njoftoi Policia.
Ndërsa, me 21 mars një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur në Klinë të Pejës, ku një person ka mbetur i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri nga vëllai i tij.
“Rreth orës 15:10 policia është njoftuar se, pas një fjalosjeje mes dy vëllezërve, njëri nga ta e qëlloi tjetrin me armë. Viktima u dërgua në emergjencën e Klinës e më pas u bart drejt Spitalit të Pejës. Pak para se të nisej në drejtim të QKUK-së për tretman mjekësor, viktima fatkeqësisht ndërroi jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të policisë dhe Prokurorisë, të cilat po vijojnë me procedurat hetimore”, ka deklaruar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.
Por, java u përmbyll me vrasje të dyfishtë dhe vetëvrashe në Majac të Podujevës, ku një grua vrau një burrë fillimisht, pastaj një grua dhe veten. E dyshuara dhe gruaja ishin shtruar në spital, por të nesërmen kanë vdekur kjo nga plagët e rënda.
Si duhet veprojnë institucionet e sigurisë?
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, jetët e humbura nuk i sheh më statistikë, por sinjal.
Sipas tij, pyetja reale është nëse Kosova ka hyrë në një fazë ku dhuna po bëhet mjet i zakonshëm për zgjidhjen e konflikteve.
Ai konsideron se Kosova vazhdon të jetojë me një realitet të trashëguar nga paslufta.
“Pesë jetë të humbura brenda një jave nuk janë më statistikë. Janë sinjal. Dhe në gjuhën e sigurisë, ky sinjal nuk injorohet – ai analizohet, interpretohet dhe mbi të gjitha, kërkon reagim.
Pyetja nuk është vetëm nëse kemi të bëjmë me raste të izoluara apo me një trend në rritje. Pyetja reale është: a kemi hyrë në një fazë ku dhuna po bëhet mjet i zakonshëm për zgjidhjen e konflikteve?
Sepse ajo që po shohim nuk është domosdoshmërisht krim i organizuar klasik. Është diçka më e rrezikshme në afatgjatë: normalizimi i dhunës interpersonale, ku konfliktet e përditshme – personale, familjare apo ekonomike – përfundojnë me armë dhe me pasoja fatale.
Këtu hyn elementi më kritik: armët ilegale. Kosova vazhdon të jetojë me një realitet të trashëguar nga paslufta, ku një numër i konsiderueshëm armësh mbetet jashtë kontrollit institucional. Në një ambient të tillë, çdo konflikt ka potencial të përshkallëzohet brenda sekondave. Armët nuk e krijojnë konfliktin, por e kthejnë atë në tragjedi”, shprehet Shala.
Parandalimi i rasteve sipas Shalës kërkon inteligjencë kriminale më të sofistikuar, identifikim të hershëm të rrezikut dhe ndërhyrje para se konflikti të bëhet i pakthyeshëm.

Drizan Shala
“Në këtë kontekst, përgjegjësia institucionale nuk mund të ndahet bardh e zi. Policia e Kosovës, në shumicën e rasteve, reagon shpejt dhe profesionalisht pas ngjarjes. Por sfida reale nuk është reagimi – është parandalimi. Dhe parandalimi kërkon inteligjencë kriminale më të sofistikuar, identifikim të hershëm të rrezikut dhe ndërhyrje para se konflikti të bëhet i pakthyeshëm.
Nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e dobët në këtë zinxhir. Dënimet që perceptohen si të lehta, procedurat e zgjatura dhe rastet e përsëritura të recidivizmit krijojnë një realitet ku frika nga ligji zbehet. Dhe kur ndëshkimi nuk është i sigurt, ashpërsia e tij humbet efektin”, deklaron eksperti.
Sipas tij, siguria nuk është vetëm çështje policie apo gjykatash, por çështje kulture, edukimi dhe kohezioni social.
“Por ndoshta problemi më i madh është ai social. Një shoqëri ku tensionet grumbullohen, ku mungojnë mekanizmat e ndërmjetësimit dhe ku impulsi dominon arsyen, është një shoqëri më e ekspozuar ndaj shpërthimeve të dhunës. Në këtë aspekt, siguria nuk është vetëm çështje policie apo gjykatash – është çështje kulture, edukimi dhe kohezioni social”, pohon Shala.
Qyetarët nuk duhet të ndjehen në nivel paniku, por nivel ndërgjegjësimi, thotë Shala, duke shtuar se java duhet të lexohet si një paralajmërim që sistemi duhet ta marrë seriozisht.
“A duhet të ndihen qytetarët të rrezikuar? Jo në nivel paniku. Por po në nivel ndërgjegjësimi. Sepse këto ngjarje, edhe nëse mbeten të izoluara në statistikë, kanë një efekt shumë më të madh: krijojnë perceptimin e pasigurisë. Dhe perceptimi, në shumë raste, është po aq i rëndësishëm sa realiteti.
Kjo javë duhet të lexohet si një paralajmërim. Një “early warning” që sistemi duhet ta marrë seriozisht. Nëse institucionet reagojnë me vendosmëri – duke goditur armët ilegale, duke rritur efektivitetin e drejtësisë dhe duke investuar në parandalim – kjo mund të mbetet një episod i rëndë, por i izoluar.
Nëse jo, rreziku nuk është vetëm rritja e numrit të vrasjeve. Rreziku është më i thellë: zhvendosja graduale e shoqërisë drejt një normaliteti ku dhuna bëhet pjesë e përditshmërisë. Dhe kjo është një vijë që, nëse kalohet, është shumë më e vështirë të kthehet mbrapa”, përfundon eksperti.
Pse ndodhin vrasjet?
I tronditur nga vrasjet, shprehet edhe sociologu Ferdi Kamberi.

Ferdi Kamberi.
Sipas tij, në aspektin social, normat sociale nuk mbrohen vetëm me ligj, por mbrohen nga shoqëria.
“I tronditur nga vrasjet të cilat ndodhen së fundi në mjediset tona sociale. Pa dashur të hyj në analizën e shkaqeve, çdo herë që ndodh një vrasje, shoqëria vazhdon për disa ditë duke komentuar dhe duke kërkuar drejtësi, pastaj vazhdon një heshtje deri në herën tjetër. Por fenomeni nuk pret, ai vazhdon, sepse ne vazhdojmë të reagojmë dhe shpeshherë nuk veprojmë si shoqëri… Në aspektin social, normat sociale nuk mbrohen vetëm me ligj, por mbrohen nga shoqëria, pra nga ne, sidomos nga mënyra si edukohemi, si flasim, si tolerojmë ose refuzojmë dhunën në jetën e përditshme. Kur një komunitet normalizon agresionin, indiferencën, dhunën, besa edhe ‘punën e vet’ krijon hapësirën ku ekstremja bëhet e mundur”, deklaron Kamberi për “Bota sot”.
Në anën tjetër, ai kërkon që shoqëria të reflektojë me një moblizim.
Sipas tij, veprimi kolektiv nuk fillon në parlament, por në lagje, në shkollë, në komunitet dhe në familje.
“Dënimi i autorit është i drejtë, por sipas sociologëve dënimi pa reflektim kolektiv mund të jetë gjysmë pune. Përveç aspektit ligjor, shoqëria duhet të reflekton me një mobilizim, si: familje të pranishme, shkolla që formojnë personalitete, komunitet që nuk mbyll sytë dhe institucione që funksionojnë. Veprimi kolektiv nuk fillon në parlament, fillon në lagje, në shkollë, në komunitet, besa edhe në familje si agjent i parë i socializimit.
Nëse presim që shteti të zgjidhë gjithçka do të presim shumë gjatë. Ndryshimi fillon kur ne vendosim të jemi shoqëria që duam të shohim”, përfundon Kamberi për “Bota sot”.
