Lajme

“Jeta ime mori fund”/ Nëntë orë negociata me autorin e masakrës në Roskovec: Kërkonte 730 mijë paundët dhe pyeste sa vite …

Për afro nëntë orë, negociatorët e RENEA-s dhe prokurori u përpoqën ta bindnin të dorëzohej. Brenda makinës ku mbante peng ish të fejuarën, Refit alias Nertil Buzi nuk fliste për mënyrën si mund të shpëtonte, por për jetën që besonte se i ishte shkatërruar bashkë me 730 mijë paundët që pretendonte se i kishin humbur.

Herë pas here kërkonte kohë për t’u menduar, pyeste nëse do t’i ktheheshin paratë dhe sa vite burg do të bënte. Kur mësoi se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, liroi vajzën dhe pak çaste më pas i dha fund jetës.

Burime të besuara kanë zbardhur për VNA detaje nga negociatat që policia zhvilloi me autorin e masakrës në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku ai vrau ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, Kosta e Belere Plaka dhe në fund u vetëvra, pasi liroi ish të fejuarën Rozalina Plaka, të cilën e mbajti peng për disa orë.

Sipas të njëjtave burime, Buzi e justifikonte krimin me pretendimin se prindërit e ish të fejuarës i detyroheshin 730 mijë paundë, para që, sipas tij, i kishte siguruar nga shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe, ku kishte qenë edhe peng dhe ishte dhunuar.

“Jeta ime nuk vlen më. Lekët s’i marr dot mbrapsht, në burg nuk dua ta shkoj”, mësohet t’i ketë thënë prokurorit Kristi Jorgji, i cili negocioi për afro tre orë me 35-vjeçarin.

Gjatë gjithë bisedës ai rikthehej vazhdimisht te e njëjta pyetje.

“A i marr unë ato para, sepse me to do ndërtoja jetën?”, ka pyetur ai.

Për ta mbajtur në komunikim dhe për ta bindur të dorëzohej, negociatori i RENEA-s dhe prokurori i kanë shpjeguar se pretendimet e tij do të hetoheshin dhe, nëse rezultonte se paratë ishin investuar në pasuri, ato do të bllokoheshin dhe do të shiteshin për t’ia kthyer.

Megjithatë, shqetësimi i tij nuk ndalej vetëm te paratë.

“Sa vite dënohem unë? Nuk dua të shkoj në burg. Kam qenë atje, e di sa e vështirë është”, ka pyetur ai.

Negociatorët janë përpjekur t’i shpjegojnë se, nëse vetëdorëzohej pa shkaktuar pasoja të tjera, kjo do të merrej parasysh edhe sa i përket masës së dënimit.

“Ishim të frikësuar për sa kohë kishte vajzën në makinë peng. Mesa duket ai donte të bindej nëse ish e fejuara e tij ishte e përfshirë në çështjen e parave”, tha një burim.

Sipas të njëjtit person, gjatë gjithë negociatave Buzi kërkonte herë pas here kohë për t’u menduar.

Momenti vendimtar, sipas burimeve, erdhi pasi ai liroi Rozalina Plakën dhe, mesa duket, mori vesh se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë.

Pak çaste më pas, ai u vetëvra.

“Ishte e pamundur për ta ndaluar. Bëmë çmos dhe përdorëm çdo teknikë”, tha burimi.

Gjatë negociatave ai përsëriste vazhdimisht të njëjtën fjali:

“Jeta ime mori fund. Jeta ime mori fund.”

Edhe pse autori i masakrës u vetëvra, Prokuroria po heton pretendimet e tij për 730 mijë paundët.

Rozalina Plaka, studente, ka dhënë një dëshmi paraprake, por pritet të ripyetet, pasi në momentet e para pas ngjarjes ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Refit alias Nertil Buzi shkoi në shtëpinë e prindërve të ish të fejuarës, vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën, e cila ndërroi jetë më pas në spital. Ai mori peng ish të fejuarën dhe e liroi disa orë më vonë, pas negociatave me policinë. Në fund, zgjodhi t’i japë fund jetës, duke u vetëvrarë.

Të Ngjashme