Fenomeni i plakjes po luftohet gjithnjë e më shumë nga njerëzit. Duke filluar që nga kujdesi për lëkurën me produkte të ndryshme kozmetike apo te injektimi i gjilpërave për të “shtrirë” vijëzat e rrudhave, plakja është duke u trajtuar gjerësisht si një dukuri e padëshiruar. Megjithëse është trajtuar në aspektin e formës e më pak në atë të përmbajtjes, plakja fillon nga brendësia e organizmit dhe prej një trupi të pashëndetshëm përkthehet edhe në uljen e viteve të jetës.
Ndoshta më pak “joshëse”, por shumë më e rëndësishme për rritjen e jetëgjatësisë, është trajtimi i sëmundjeve kronike. Edhe pse njerëzit ndjekin metoda për t’i shtuar më shumë vite jetës së tyre, gjendje të tilla si sëmundjet e zemrës, diabeti, goditja në tru dhe kanceri janë nxitës kryesorë si të vdekshmërisë, ashtu edhe të paaftësisë.
Ndërsa një valë investitorësh në teknologji po shtyn përpara pajisje, suplemente dhe programe të dizajnuara për t’i bërë njerëzit të ndihen sikur do të jetojnë përgjithmonë, gazetarja Kara Swisher ka hetuar metodat që në të vërtetë çojnë në jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
“Ajo që më intereson është rritja e jetëgjatësisë për të gjithë. Jetëgjatësi e shëndetshme, jo vetëm jetëgjatësi për hir të jetëgjatësisë. Është jetëgjatësi për një jetë të mirë dhe një jetë të shëndetshme, dhe që të mos vdesësh nga sëmundje idiote. … Është kaq e parandalueshme”, tha Swisher.
Sipas Dr. Steven Austad, drejtor shkencor i Federatës Amerikane për Kërkime mbi Plakjen dhe profesor në Universitetin e Alabamës në Birmingham, shumë nga sipërmarrësit e teknologjisë që investojnë në hapësirën e jetëgjatësisë e keqkuptojnë shkencën e plakjes dhe nuk e kuptojnë se nuk ka një kod të thjeshtë për t’u deshifruar dhe se biologjia që qëndron pas procesit të plakjes është e ndërlikuar.
“Plakja është diçka që u ndodh të gjithëve, madje edhe njerëzve më të shëndetshëm, dhe i bën ata më të prekshëm ndaj zhvillimit të sëmundjeve kronike. Pra, plakja nuk është një sëmundje, por na bën më të prekshëm ndaj sëmundjeve. Plakja jo vetëm që i bën njerëzit më të prekshëm, por gjithashtu ua bën më të vështirë shërimin nga sëmundjet kronike”, pohoi Austad.
Edhe pse sëmundjet kronike nuk prekin vetëm popullatat e moshuara, parandalimi i këtyre sëmundjeve mund të nënkuptojë jetë më të gjata dhe më shumë kënaqësi të viteve të shtuara.
Disa nga teknologjitë më premtuese për jetëgjatësi do të duhet të përshkruhen me recetë, jo të blihen.
Sëmundja e Alzheimerit, për shembull, një ditë mund të parandalohet nëpërmjet një teknologjie të quajtur CRISPR, një mjet për redaktimin e gjeneve i bashkëzhvilluar nga laureatja e Çmimit Nobel në kimi, Dr. Jennifer Doudna. Një proteinë vepron si një palë gërshërë, duke synuar ADN-në në një qelizë dhe duke bërë prerje, të cilat e nxisin qelizën të bëjë riparime.
Redaktimi i gjeneve përmes CRISPR nuk është i vetmi zhvillim mjekësor që mund të ndikojë ndjeshëm në sëmundjet kronike.
Në laboratorët në Bregun Lindor, studiuesit po punojnë në një mjet tjetër si për parandalimin, ashtu edhe për trajtimin e sëmundjeve, duke përfshirë HIV-in, diabetin dhe kancerin, dhe ato janë vaksinat mRNA.
Si e trajton një vaksinë sëmundjen kronike?
“Komponenti kryesor, ARNi ose ARN-ja mesazhere, u dërgon mesazhe qelizave të trupit tuaj, të cilat mund të përfshijnë zhvillimin e proteinave që i mësojnë sistemit tuaj imunitar se çfarë të sulmojë (si viruset ose qelizat kancerogjene), udhëzojnë trupin tuaj të prodhojë një proteinë që mungon ose që nuk funksionon siç duhet, ose edhe të korrigjojë gabimet gjenetike”, tha Dr. Kathryn Whitehead, profesoreshë në departamentet e inxhinierisë kimike dhe inxhinierisë biomjekësore në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh.
“Të dyja këto gjëra kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Të dyja janë gjithashtu në një fazë shumë, shumë të hershme”, tha Austad.
Ndërkohë që teknologjitë e reja emocionuese testohen për siguri dhe efikasitet përpara se të dalin në treg, ka gjëra që mund të bëni tani për të parandaluar sëmundjet kronike. Dhe parandalimi i një sëmundjeje është shumë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm sesa trajtimi i një sëmundjeje ekzistuese.
Sipas Dr. Jilian Melamed, asistent profesor kërkimor në degën e sëmundjeve infektive dhe Institutin për Inovacionin e ARN-së në Universitetin e Pensilvanisë, ja disa nga masat parandaluese më efektive që mund të ndërmerrni tani janë modifikimet e stilit të jetës rreth ushtrimeve fizike, dietës, gjumit dhe lidhjes sociale:
• Një dietë mesdhetare, e cila përqendrohet te frutat, perimet, drithërat e plota, arrat, farat, peshku i shëndetshëm dhe vaji i ullirit ekstra i virgjër, me porcione më të vogla vezësh, produktesh qumështi dhe shpendësh, është lidhur me një rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë.
• Si aktiviteti aerobik, ashtu edhe stërvitja e forcës janë zbuluar se shoqërohen me një rrezik më të ulët vdekjeje.
• Të bësh 7-8 orë gjumë të pandërprerë dhe çlodhës është shoqëruar me një jetëgjatësi prej disa vitesh.
• Më shumë socializim vjen gjithashtu me përfitime të rëndësishme, pasi vetmia dhe izolimi social janë lidhur me një rrezik më të lartë të vdekjes së parakohshme.
