ShowBizzz

Jimmy Kimmel falenderon me ironi presidentin Donald Trump pas fitimit të Critics Choice Award

Jimmy Kimmel fitoi për herë të dytë në karrierë çmimin Critics Choice Award për “Best Talk Show”, duke reflektuar hapur për vitin e trazuar që ka kaluar emisioni i tij Jimmy Kimmel Live!

Kur komediani Kimmel pranoi çmimin, përgjatë fjalimit të tij, ai ka falënderuar me ironi presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Faleminderit për të gjitha gjërat qesharake që i bën çdo ditë”, ka thënë ai me ironi.

Kimmel gjithashtu ka falënderuar edhe të gjithë yjet që e mbështetën, pasi atij i ishte ndaluar transmetimi i emisionit pas disa komenteve që i pati bërë në lidhje me aktivistin politik Charlie Kirk.

Pas ceremonisë së mbajtur më 4 janar 2026 në Santa Monica, prezantuesi 58-vjeçar pranoi se muajt e fundit kanë qenë një sfidë e madhe personale dhe profesionale.

Në dhomën e fituesve, Kimmel e përshkroi pezullimin gjashtëditor të emisionit në shtator si një “përvojë gati fatale” në aspektin emocional.

Ai e krahasoi situatën me ndjesinë e Tom Sawyer dhe Huck Finn që shohin varrimin e tyre, duke iu referuar reagimeve publike pasi emisioni u hoq përkohësisht nga transmetimi për shkak të deklaratave të tij mbi vdekjen e Charlie Kirk.

Edhe pse u rikthye në ekran më 23 shtator, Kimmel vazhdoi të përballej me kritika dhe sulme nga presidenti Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht anulimin e emisionit.

Megjithatë, mbështetja e publikut dhe komunitetit artistik rezultoi vendimtare.

Në fjalimin e pranimit të çmimit, Kimmel falënderoi shkrimtarët, aktorët, producentët dhe sindikatat që e mbështetën, duke theksuar rëndësinë e lirisë së fjalës.

Me humorin e tij karakteristik, ai ironizoi edhe mungesën e rivalëve në ceremoni dhe nuk la pa përmendur presidentin Trump, duke thënë se pa të, çmimi nuk do të ishte fituar.

Kimmel e mbylli fjalën me një mesazh të qartë: presioni nuk e ka heshtur, përkundrazi e ka forcuar zërin e tij në ekran.




Të Ngjashme