Sipas Eurostatit 45.4% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut përdorin programe të inteligjencës artificiale. Ekspertët paralajmërojnë për pasoja afatgjata ndaj të menduarit kritik, integritetit akademik dhe privatësisë.
Inteligjenca artificiale po hyn me shpejtësi në auditorët universitarë në Maqedoninë e Veriut. Nga esetë dhe punimet për seminare deri te përgatitja për provime, programe si ChatGPT po bëhen pjesë e përditshmërisë akademike. Por ndërsa studentët flasin për kursim kohe dhe produktivitet më të lartë, ekspertët paralajmërojnë për pasoja afatgjata ndaj të menduarit kritik, integritetit akademik dhe privatësisë.
Adoptim në rritje, rregulla të paqarta
Sipas të dhënave të Eurostat, 45.4% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të moshës 16–24 vjeç, përdorin programe të inteligjencës artificiale, një përqindje e konsiderueshme kjo, edhe pse nën mesataren evropiane.
Një studim praktik i realizuar nga DW me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, përmes tri fokus-grupeve, tregon se përdorimi është tashmë rutinë: shumica e tyre e përdorin Inteligjencën Artificiale rregullisht (3-4 herë në javë), disa herë pas here, dhe vetëm një student thotë se e përdor rrallë.
Studentët thonë se e përdorin për të strukturar temat apo esetë, përkthim dhe redaktim tekstesh, riformulim për të përmirësuar tekstet që shkruajnë, organizim idesh dhe përgatitje për provime.
Disa e përdorin edhe për gjenerim imazhesh dhe për të kaluar kohën e lirë. Si përfitime studentët përmendin: kursim kohe, qartësi më e madhe strukturore dhe rritje të produktivitetit.
Megjithatë përdorimi i IA po zhvillohet në një terren me rregullore të paqarta akademike.
Rreziqet: Nga “halucinacionet” te atrofia konjitive
Shqetësimi më i madh i studentëve është informacioni i pasaktë: 81% e tyre e konsiderojnë këtë si rrezik kryesor, pasuar nga varësia prej teknologjisë (57%) dhe uniformizimi i ideve (48%).
Aleksandër Manasiev, kryetar i Qendrës për Inovacione Mediatike “NarrativAI”, e sheh IA-në si mjet me potencial të madh pedagogjik, por me kufizime serioze: “Hulumtimet sugjerojnë se disa studentë përdorin mjete si ChatGPT për të gjeneruar plotësisht ose pjesërisht ese dhe punime. Edhe pse kjo duket joshëse, rreziku është real. Një nga problemet më të mëdha janë ‘halucinacionet’, kur modelet e IA-së krijojnë informacione fiktive, citate fiktive ose burime që nuk ekzistojnë, duke rrezikuar drejtpërdrejt integritetin akademik.”
Rreziku, sipas profesorit universitar dhe ekspertit të mediave Agron Kurtishi, është edhe më i thellë: “Studentët po ia delegojnë të menduarit teknologjisë. Kjo çon në atrofi konjitive, rënie të aftësive mendore që zakonisht vërehen në trurin e personave të moshuar. Nëse studentët përdorin IA-në për t’u treguar përgjigjen, ata ndalojnë së menduari vetë dhe me këtë bie aftësia për të menduar në mënyrë kritike”.
Kurtishi ngre edhe çështjen e privatësisë: “Çdo përdorim i IA-së krijon të dhëna për përdoruesin. Me kalimin e kohës, sistemi ndërton një ‘album’ të plotë informacionesh. Në një farë mënyre, IA mund të dijë më shumë për ne sesa ne për veten.”
Mes kontrollit dhe mundësive
Ekspertët theksojnë se IA nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë rolin e pedagogut. Universiteti i Oksfordit rekomandon që mjetet e IA-së të përdoren për mbështetjen e të nxënit dhe jo si zëvendësim i arsyetimit.
Studentët vetë nuk kërkojnë ndalimin e përdorimit të IA-së, por rregulla dhe udhëzime të qarta akademike për ese dhe projekte si dhe trajnime për përdorimin etik të IA-së..
Manasiev thekson nevojën për politika institucionale: “Institucionet duhet të vendosin një rrugë të qartë. Aktualisht, teknologjia përdoret para se të vendosen rregullat.”
Mjet ndihmës, jo zëvendësim i mendjes
Dilema pra nuk është nëse IA do të përdoret apo jo, sepse ajo tashmë po përdoret. Pyetja është se si.
Nëse integrohet me rregulla të qarta, me edukim etik dhe me theks tek mendimi kritik, Inteligjenca Artificiale mund të bëhet një mjet i dobishëm për produktivitet dhe kreativitet. Në të kundërtën, rrezikon të prodhojë varësi, uniformizim mendimi dhe dobësim të kapaciteteve intelektuale.
Sfida për universitetet në Maqedoninë e Veriut nuk është të ndalin teknologjinë, por të integrojnë në mënyrë të strukturuar njohuritë për IA në procesin mësimor. Sepse në epokën digjitale, aftësia për të menduar mbetet kompetenca më e rëndësishme dhe asnjë algoritëm nuk mund ta zëvendësojë plotësisht./DW
