John Carew, ish-sulmues norvegjez i njohur për peripecitë e tij në Premier League, Serie A dhe La Liga, ka ndërruar rrugë pas pensionimit nga futbolli dhe po ndjek një pasion të ri: aktrimin. Në një intervistë të fundit për ‘The Athletic’, 46-vjeçari rrëfeu se si po ndërton një karrierë të dytë në Hollivud, duke luajtur në seriale dhe filma, përfshirë filmin “Mistress of Evil” me Angelina Jolie.
Carew filloi të merrej me aktrim që në 2009, gjatë kohës së tij tek Aston Villa, ku luante 131 ndeshje dhe shënoi 48 gola. Ai mori leksione private në Londër, duke mësuar teknikat dhe teorinë e aktimit, pa e bërë publike këtë pasion te shokët e skuadrës. Pas pensionimit të përhershëm në 2012, ai mori rolin kryesor në filmin kanadez Dead of Winter, përvojë që i hapi dëshirën për të ndjekur aktrimin seriozisht.
Ai vëren shumë ngjashmëri mes dy profesioneve: “Si futbollist ke presion dhe duhet të performosh; në aktrim është e njëjta gjë. Bashkëpunimi me aktorët është ‘teamwork’, si në një ekip futbolli.” Pavarësisht suksesit në ekran, Carew ruan lidhje me futbollin, veçanërisht me Aston Villa-n, ku ndonjëherë ka ndjekur ndeshje së bashku me princin William.

Karriera e tij në aktrim përfshin edhe serialin norvegjez ‘Heimebane’, ku interpretoi një ish-lojtar të pakënaqur, dhe rolin në Disney me Jolie dhe aktorë të tjerë të njohur. Ai studion aktorët e mëdhenj si Tom Hardy, Denzel Washington dhe Renate Reinsve, duke u frymëzuar nga teknikat e tyre për të ndërtuar personazhe nga e para. Carew ëndërron edhe të luajë një “villain” në një film James Bond, si një hitman i heshtur.
Ai thekson se nuk ka nevojë për rolet kryesore për t’u ndier i realizuar dhe përqendrohet tek aspekti njerëzor i aktrimit: “Filmat më të mirë mund të jenë më të lirë; është aspekti njerëzor që prek shikuesin.” Carew vazhdon të eksplorojë këtë rrugë pasionante, duke synuar të mësojë e të kënaqet me çdo projekt të ri, larg presionit të fushës dhe vëmendjes masive të spektatorëve.
John Carew ka transformuar jetën pas futbollit në një aventurë artistike, duke ndjekur pasionin për aktrimin dhe duke u bërë një emër i njohur në Hollivud, pa harruar rrënjët e tij sportive.
