
Moderatorja dhe aktorja Jonida Vokshi ka rrëfyer betejën e babait të saj, i cili u nda nga jeta pak javë më parë pas 1 muaji në koma, me sëmundjen e demencës.
Ajo tregoi se i ati filloi problemet e para me kujtesën rreth 3 vite më parë, kur filloi të harronte se ku vendoste objektet dhe të përsëriste histori, por shtoi se ia vendosën fajin moshës.
Por, aktorja shtoi se “fatkeqësia ishte se nuk ishte vetëm një harresë momentale, por ishin fazat e para të demencës.”
“Për ne ishte një 5-vjeçar i vështirë, i qëndruam afër aq sa dinim sepse ishim të papërgatitur. Ishte e vështirë, pavarësisht se jemi munduar të jetë prioritet për ne, jeta nuk ishte e thjesht me të”, u shpreh Jonida Vokshi.
Moderatorja rrëfeu se kur i ati ra në koma, ende mbante mend familjarët dhe për këtë u shpreh se i është falenderuese Zotit, por theksoi se “nuk e kam pranuar vdekjen tek babai im, e di që është diku. Lus që ta ndjej prezencën e tij nëpërmjet gjërave të vogla që më ndodhin gjatë ditës dhe kjo po më ndodh”.
Jonida Vokshi: Babi prej 4 apo 5 vitesh filloi të kishte problemet e para me harresën, gjë që ndodh që ti ia vendos fajin moshës. Justifikonim me faktin se “Jemi ne të rinj dhe po harrojmë”. Fillesat ishin të lehta, harrim i objekteve, historia të përsëritura më shumë se njëherë.