Shëndetësi

Ju është zënë hunda? Çfarë po përpiqet t’ju tregojë trupi juaj

A ju ndodh që gjatë gjithë ditës të merrni frymë lehtësisht përmes hundës, por gjithmonë të keni hundë të zëna gjatë natës? Kjo mund të jetë një shenjë e një gjendjeje të quajtur hipertrofia e konkave të poshtme nazale.

Mbyllja nga një ftohje ose alergji nuk ka gjasa të ndodhë pikërisht kur jeni duke u përpjekur të flini – citon për LiveStrong otolaringologun e certifikuar në Kaliforni, Michael Yong.

Zakonisht këto probleme mund të shkaktojnë simptoma edhe në periudha të tjera të ditës. Në vend të kësaj, shumica e njerëzve që kanë hundë të mbyllur vetëm gjatë natës kanë një gjendje të quajtur hipertrofia e konkave inferiore nazale.

Kjo është një gjendje beninje që mund të shkaktojë mbyllje kur përpiqeni të flini. Gjendja ndodh kur konkat (strukturat kockore brenda hundës tuaj) zmadhohen ose fryhen, gjë që mund ta vështirësojë frymëmarrjen përmes vrimave të hundës, sqaron Mayo Clinic.

Konkat janë të veshura me inde të buta dhe të pasura me gjak dhe kanë më shumë gjasa të fryhen kur jeni shtrirë sesa kur jeni në këmbë ose ulur për shkak të gravitetit – shpjegon Dr. Yong. Si rezultat i kësaj zënia e hundës shkaktohet vetëm gjatë natës kur shkoni në shtrat.

Nëse keni tendencë të flini në krah, mund të vëreni se bllokimi është më i keq në anën e hundës së kthyer kah jastëku.

Së bashku me rritjen e kongjestionit kur shtriheni në shtrat, mund të vëreni edhe gërhitje, probleme me gjumin, gjakderdhje nga hundët, një ndjenjë thatësie në zgavrat e hundës dhe madje edhe një ndjenjë të reduktuar të nuhatjes – thonë ekspertët në Nationwide Children’s Hospital.

Ndonjëherë konkat më të mëdha janë thjesht rezultat i “variacionit normal anatomik” (thjesht keni lindur ashtu), sqaron Dr. Yong. Ftohja, alergjia ose një infeksioni i sinuseve, gjithashtu mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë hipertrofinë e konkës së poshtme të hundës, pasi vetë këto probleme mund të shkaktojnë ënjtje.