ShowBizzz

Ju kujtohet Klodi i Big Brother 3 që u deklarua homoseksual? Tregon çfarë kaloi pas daljes nga spektakli

Klodian Çela ishte një prej personazheve më të komentuar të “Big Brother Albania 3”, por pjesëmarrja e tij në formatin e vitit 2010 mori një tjetër përmasë kur ai foli hapur për orientimin e tij seksual.

Në një Shqipëri shumë më ndryshe nga ajo e sotmja sa i përket diskutimit publik për këtë temë, deklarata e Klodit u kthye menjëherë në një prej ngjarjeve më të diskutuara të atij edicioni. Ai ishte ndër të parët që fliste kaq hapur për homoseksualitetin në një format televiziv me audiencë të gjerë në vend.

Reagimet nuk mbetën vetëm në rrjet apo në studio televizive. Në vendlindjen e tij pati edhe protesta kundër deklaratës së bërë në “Big Brother”, ndërsa rasti i Klodit hapi një debat të madh publik për mënyrën se si shoqëria shqiptare i trajtonte personat LGBT.

Vite më vonë, në vitin 2023, Klodi u rikthye te ajo periudhë gjatë një interviste në “Ftesë në 5”, duke treguar se ajo që kishte ndodhur pasi kamerat e “Big Brother” ishin fikur kishte qenë shumë më e vështirë nga sa ishte parë nga publiku.

“Dal dhe nuk gjej familjen time në shtëpinë ku kisha jetuar. Prindërit kishin shkuar të jetonin në shtëpi me qira në Durrës. Unë dola nga Big Brother dhe u përballa me atë situatë ku duhet t’iu jepja një mbështetje familjareve.

U mundova, po askush nuk e di se pas atij reality, kam qene 3 muaj në spital. U prish rehatia e familjes dhe s’ e prisja që njerëzit do ishin kaq të prapambetur dhe të mos më jepnin një mbështetje as institucionet. Me pak fjalë isha i vetëm. Shumë abuzuan e shumë shpifën në masë. Me vonë, nëna m’u sëmur dhe u kapa i papërgatitur”, tregonte Klodi.

Sipas tij, në atë periudhë nuk kishte gjetur mbështetjen që priste as nga komuniteti LGBT.

“Më kërkuan diplomë për punë, ndërkohë që unë isha vetëm me diplomë gjimnazi”, tregonte ai.

Pavarësisht periudhës së vështirë që përshkroi, jeta e Klodian Çelës mori më pas një tjetër drejtim. Në kohën kur dha intervistën, ai tregoi se jetonte jashtë Shqipërisë dhe punonte si drejtor imazhi për një kompani ndërkombëtare.

Intervista e vitit 2023 riktheu kështu në vëmendje jo vetëm një prej momenteve më të diskutuara të historisë së “Big Brother” në Shqipëri, por edhe atë që Klodi thotë se përjetoi pasi doli nga shtëpia dhe iu desh të përballej me reagimin jashtë saj.

Të Ngjashme