Lajme

Juristi: LDK po përballet me mungesë lidershipi, por përgjegjësia për humbjen nuk është vetëm e kryesisë

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me mungesë të qartë lidershipi, por përgjegjësia për rezultatin e fundit zgjedhor nuk mund t’i faturohet në mënyrë absolute kryesisë së partisë. Kështu vlerëson profesori dhe juristi Blerim Burjani.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në zgjedhje është e papranueshme për identitetin politik të LDK-së.

“Është absurd që elektorati i LDK-së të votojë Vetëvendosjen. Ky elektorat duhet ta dijë qartë nëse është i LDK-së apo i VV-së”, thekson Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai vlerëson se LDK-ja ka nevojë për reformim të ngadalshëm, por të thellë, sidomos në aspektin e përfaqësimit parlamentar. Sipas tij, disa deputetë të këtij subjekti politik janë ricikluar për një kohë të gjatë dhe mandatin e shohin më shumë si vend pune sesa si përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“LDK duhet të reformohet në organet e saj dhe në përbërjen e strukturave qendrore”, shprehet Burjani.

Sa i përket dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku, Burjani vlerëson se edhe një veprim i tillë do të ishte i kotë, pasi problemi nuk qëndron vetëm te kryetari.

“Situata nuk është e tillë që Lumiri të jetë përgjegjës. Ka struktura brenda LDK-së që e shohin më të arsyeshme votimin për VV-në për të reduktuar PDK-në, por kjo nuk mund të ndodhë. LDK duhet të mbrojë interesat e veta politike”, thotë ai.

Burjani thekson se është e vështirë të identifikohet një lider i qartë me aftësi dhe prirje udhëheqëse në këtë fazë. Sipas tij, emra si Lutfi Haziri dhe Hikmete Bajrami mund të jenë mundësi, por problemi mbetet perceptimi i elektoratit.

“LDK ndodhet në një situatë ku elektorati i saj e sheh vazhdimisht si opsion koalicionin me VV-në për të përjashtuar PDK-në dhe AAK-në, dhe kjo është problematike”, vlerëson Burjani.

Ai shton se brenda LDK-së ka shumë elektorat, anëtarë dhe edhe figura të kryesisë që historikisht kanë qenë kundër PDK-së, por që nuk kanë arritur ta shkëpusin partinë nga bashkëpunimi me të për vite me radhë.

Të Ngjashme