LifeStyle

Ka dy momente në jetë kur plakemi papritur: ja cilat janë ato dhe pse ndodhin sipas shkencës

Plakja nuk ndodh gradualisht, siç kemi menduar gjithmonë. Sipas një studimi të fundit shkencor, ekzistojnë dy periudha të sakta në jetë kur trupi ynë pëson ndryshime të menjëhershme dhe procesi i plakjes përshpejtohet ndjeshëm.

Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Aging, u realizua nga studiues të Universitetit Stanford, të cilët ndoqën për disa vite 108 persona të moshës nga 25 deri në 75 vjeç. Gjatë studimit u analizuan mijëra molekula biologjike, duke përfshirë metabolizmin, hormonet, inflamacionin dhe mikrobiotën e organizmit. Rezultati tregoi se plakja biologjike nuk ecën në mënyrë lineare, por kalon nëpër “kërcime” të papritura.

Sipas shkencëtarëve, dy momentet më kritike ndodhin rreth moshës 44 dhe 60 vjeç. Pikërisht në këto periudha organizmi fillon të ndryshojë më shpejt: metabolizmi ngadalësohet, sistemi imunitar dobësohet dhe aftësia e trupit për të rigjeneruar qelizat bie ndjeshëm.

Çfarë ndodh rreth moshës 44-vjeçare?
Sipas studimit, rreth të 44-ave ndryshojnë ndjeshëm molekulat që lidhen me metabolizmin e yndyrnave, alkoolit dhe kafeinës. Praktikisht, organizmi fillon ta ketë më të vështirë të rikuperohet pas lodhjes, netëve pa gjumë apo ushqimit jo të shëndetshëm. Po ashtu rritet tendenca për kolesterol më të lartë dhe probleme kardiovaskulare.

Në këtë fazë shumë njerëz vënë re se lëkura humbet elasticitetin, muskujt dobësohen më shpejt dhe energjia nuk është më e njëjtë si më parë. Studiuesit theksojnë se këto ndryshime nuk lidhen vetëm me hormonet, por edhe me stresin kronik, mungesën e aktivitetit fizik dhe zakonet e këqija të akumuluara ndër vite.

Çfarë ndodh pas të 60-ave?
Faza e dytë e plakjes konsiderohet edhe më intensive. Rreth moshës 60 vjeç ndryshimet prekin kryesisht sistemin imunitar, metabolizmin e sheqernave dhe funksionin e veshkave.

Ekspertët e quajnë këtë fenomen “inflammaging”, një inflamacion kronik i lehtë që e bën organizmin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve si diabeti i tipit 2, problemet kardiovaskulare dhe rënia fizike. Në këtë periudhë lodhja shfaqet më lehtë, rikuperimi pas infeksioneve zgjat më shumë dhe masa muskulore bie më shpejt nëse trupi nuk stërvitet rregullisht.

A mund të ngadalësohet plakja?
Shkencëtarët theksojnë se këto të dhëna nuk duhet të shkaktojnë frikë, por të shërbejnë si paralajmërim për t’u kujdesur më herët për shëndetin. Aktiviteti fizik i përditshëm, ushqimi i balancuar, reduktimi i stresit, gjumi cilësor dhe kontrollet e rregullta mjekësore mund të ndihmojnë ndjeshëm në ngadalësimin e plakjes biologjike.

Ekspertët rekomandojnë ecje të përditshme, ushtrime force për ruajtjen e muskujve dhe një dietë të ngjashme me atë mesdhetare, e pasur me fruta, perime dhe yndyrna të shëndetshme. Sipas tyre, mënyra si jetojmë ka ndikim të drejtpërdrejtë në “moshën biologjike” të trupit tonë, e cila mund të jetë më e re ose më e vjetër se mosha reale.

Të Ngjashme