Dy ditë pas shpalljes së dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi dërgimin e qëndrimeve të kësaj partie në mbrojtje të dekretit.
“Mendoj që në fund të javës së ardhshme do të caktohen zgjedhjet. Do ta kemi edhe (qëndrimin) e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën, dhe ne do të bëjmë komentet tona në Kushtetuese do t’i dorëzojmë që dekrete është plotësisht kushtetues”, pati thënë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Pastaj, në ditën e fundit të dërgimit të komenteve në Gjykatë, u raportua për një komunikatë të kësaj partie lidhur me përmbajtjen e komenteve që i kishte dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese.
Kjo komunikatë nuk është publikuar në platformat e partisë në rrjetet sociale, ndërsa të njëjtën ditë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu deklaroi se subjekti “shpreson shumë” që dekreti për shpërndarjen e kuvendit të marrë pëlqim nga Gjykata Kushtetuese dhe t’u hapen rrugë zgjedhjeve të reja.
Por, Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka dorëzuar kësaj gjykate komentet e veta për çështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e kuvendit.
Gjykata Kushtetuese deri në vendimin final për këtë çështje, ka pranuar komentet vetëm të presidentes Vjosa Osmani dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konfirmoi të premten Gjykata Kushtetuese.
“Përkitazi me çështjen e dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata brenda afatit të përcaktuar ka pranuar komente nga: (i) Presidentja e Republikës së Kosovës; dhe (ii) Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Gjykata Kushtetuese për median.
Të pyetur nëse ndonjë subjekt politik ka dorëzuar komentet e veta për çështjen e Osmanit e pastaj i ka tërhequr ato, Gjykata ka thënë se dokumentet e parashtruara “nuk mund të tërhiqen pas dorëzimit të tyre”.
“Deri në këto momente, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për tërheqjen e komenteve të dorëzuara”, u shprehën nga Gjykata.
Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar deputetë të kësaj partie lidhur deklarimet se do t’i dorëzojnë komentet në Kushtetuese dhe pse nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por të njëjtit kanë hezituar të përgjigjen.
Lidhur me këtë çështje ka folur për “Bota sot”, analisti politik Afrim Kasolli, i cili konsideron se PDK-në po e shoqëron një prapakthim juridik.
Sipas tij, PDK po abdikon nga detyra shtetërore.
“Kam thënë edhe në të kaluarën se kohën e fundit PDK-në po e shoqëron një prapakthim juridik. E ka pushtuar një amnezi kushtetuese.
Pra partia më e madhe opozitare që dikur ishte prijatare e betejave kushtetuese si dhe ishte dalluar me disa fitore ne Gjykatën Kushtetuese, tashmë po abdikon nga kjo detyrë shtetërore. Kështu, njëjta sot nuk e merr as mundin t’u përgjigjet thirrjeve të këtij insitucioni për t’i adresuar argumententet e saj profesionale për një teme vendimtare politike dhe juridike, siç është dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaron Kasolli.

Afrim Kasolli
Sipas tij, dështimi i PDK-së shënon edhe një devalimin demokratik.
“Ky dështim i kësaj partie shënon edhe një devalimin demokratik. Sepse ky sistem bëhet me efikas edhe nga kultura deliberative epistiemike. Ndërkohë kjo e fundit nuk ndërtohet vetëm në studio televizive. Por duke adresuar argumentente profesionale pranë institucioneve të thirrura për ta mbrojtur rendin kushtetues. E PDK-ja sot si duket është pushtuar nga ky deficit, e pa të cilën në rrethanat në të cilat gjendet vështirë se mund të identifikohet me diçka tjetër politikisht”, shton Kasolli.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuse më 9 mars ka pezulluar përkohësisht këtë të hënë dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjidhte një president brenda afatit kushtetues të 5 marsit.
Gjykata Kushtetuese e quajti vendimin ex officio dhe tha se do t’i ndalojë çdo veprim si Presidentes Osmani ashtu edhe Kuvendit, të paktën deri më 31 mars, afat i nevojshëm ky për shqyrtim të çështjes në themel.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 9 mars 2026, njëzëri vendos masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin e 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deri në 31 mars”, thuhet në vendim. Vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nënkupton se Presidentja Vjosa Osmani nuk mund të shpallë një datë zgjedhjesh të parakohshme, deri në përfundim të shqyrtimit të themel të padisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe shpalljes së një vendimi nga Kushtetuesja.
Ndërsa, Gjykata Kushtetuese po më 9 mars ka regjistruar kërkesën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes në largim për shpërndarjen e Kuvendit.
