Lajme

Kaçiu me detaje për zgjedhjet në SHBA, Arizonën mund ta marrë Trump, Harris prin në Pensilvania

Njohësi i rrethanave në SHBA, Flamur Kaçiu ka deklaruar se në shtetin e Arizonës mund të fitojë Donald Trump ku siç është shprehur bazuar në sondazhe ai është duke prirë me 2%.

Kaçiu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se në shtetin e Pensilvanisë ka gjasa të fitojë Kamala Harris ku sipas tij, bazuar në rezultatet e fundit ajo është duke prirë me 0.2%.

“Rezultati pak më i qartë është në Arizona ku Trump është duke prirë me 2% kjo i bie që marzha e gabimit në fakt në këto zgjedhje është 3 deri në 5 që i bie plus minus edhe këtu mund të rezultojë ndryshimi dhe të fitojë Harris, mirëpo me shumë mundësi Arizona do të shkojë për Trumpin. Pastaj garë shumë tejet të ngushtë për momentin prej rezultateve të fundit Harris është duke prirë në Pensilvania vetëm me 0.2% do të thotë prej mesatares së sondazheve”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Karolina e Veriut, Gjeorgjia dhe Nevada janë shtetet të cilat mund të bëjnë ndryshimin dhe të jenë vendimtare.

“Por mos të harrojmë edhe pjesë tjera të asaj që njihet si Rripi i Diellit, edhe Karolina e Veriut, edhe Gjeorgjia , mandej edhe Nevada do të thotë janë prej shteteve që mund të ndryshojnë si për njërin ashtu edhe për tjetrin dhe mund të jenë vendimtare…patjetër që Trump duhet ta fitojë njërën nga këto tri shtete, që ta fitojë garën. Nëse nuk e fiton njërën e humb garën”, ka theksuar Kaçiu. /teve1.info/