Për shumë njerëz, dita nuk nis pa një filxhan kafeje dhe tashmë shkenca ka një arsye më shumë për ta përfshirë këtë zakon në rutinën tuaj të mëngjesit.
Sipas një studimi të ri të publikuar në ‘European Heart Journal’, pirja e kafesë në mëngjes mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga çdo shkak, veçanërisht nëse konsumohet në sasi të moderuar.
Studimi u realizua nga ‘Harvard T.H. Chan School of Public Health’ dhe ‘George Washington University’, dhe analizoi të dhënat e më shumë se 40,000 të rriturve amerikanë. Ai nxori në pah se koha kur pini kafe është po aq e rëndësishme sa edhe sasia, sidomos kur flitet për jetëgjatësinë dhe shëndetin kardiovaskular.
Sipas rezultateve, 36% e pjesëmarrësve ishin konsumues të rregullt të kafesë në mëngjes, nga ora 4:00 deri në mesditë. Ndërsa 14% pinin kafe gjatë gjithë ditës, dhe 48% nuk pinin fare.
Grupi që pinte kafe vetëm në mëngjes përfitoi më shumë:
-16% rrezik më të ulët të vdekjes nga çdo shkak
-31% rrezik më të ulët nga sëmundjet e zemrës
Në të kundërt, ata që pinin kafe në mënyrë të shpërndarë gjatë gjithë ditës nuk patën një ulje të ndjeshme të rrezikut të vdekshmërisë.
Sasia ideale: dy deri në tri filxhanë në ditë
Studimi konfirmon se konsumi i moderuar është çelësi për të përfituar nga vetitë pozitive të kafesë. Rezultatet treguan se:
Konsumimi i 2-3 filxhanëve në mëngjes lidhej me një 29% rrezik më të ulët të vdekjes nga të gjitha shkaqet.
Ata që pinin më shumë se 3 filxhanë kishin 21% rrezik më të ulët, ndërsa ata që pinin vetëm një filxhan ose më pak, kishin 15% rrezik më të ulët.
Për sa i përket sëmundjeve të zemrës, 48% rrezik më i ulët u vu re te konsumuesit e moderuar, ndërsa ata me konsum të lartë kishin 39% ulje, dhe konsumuesit e ulët 35%.
Ky studim vjen në vijim të shumë kërkimeve të mëparshme që kanë lidhur kafen me uljen e rrezikut të diabetit, goditjes në tru, sëmundjeve koronare të zemrës dhe disa llojeve të kancerit. Syri.net-Tovima.gr.
