Lajme

Kaja Kallas në vend të Borellit, çka e pret Kosovën në dialog?

Për Borellin dhe Lajçakun, Kryeministri u ankua se kur ka shkelje nga Serbia nuk i bien bilbilit.

Në fushën e dialogut shumë shpejt do të ndërrohen referat. Rolin e arbitrit në kostumin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, në vend të spanjollit Josep Borell do ta luajë estonezja Kaja Kallas, politikanja që deri në korrik të këtij viti ishte kryeministre e Estonisë.

“Zonja Kallas si shefe e Jashtme do të jetë shumë më e ashpër, por për të gjitha palët, kështu që është refere shumë e mirë, por nuk kisha qenë shumë entuziast në kuptimin e asaj sepse obligimet që i kemi ne, nuk mund të iu ikim, pavarësisht kushdo që vjen refer”, ka deklaruar Dritëro Arifi – profesor.

Profesori universitar thotë se nga mesi i tetorit do të definohen gjërat, dhe do të hapet një dialog brenda Komisionit Evropian ku pritet që Kallas të shpalosë vizionin e saj.

Krahas saj, sipas Arifit me e rëndësishme është që Bashkimi Evropian ta rihapë një dialog tjetër brenda tij, në mënyrë që të tërhiqet nga neutraliteti dhe ta pranojë Kosovën si shtet që faktikisht ekziston.

Me gjithë ndryshimet në hierarkinë e bllokut evropian, analisti Visar Ymeri përpos një qasje pak më pozitive, nuk pret ndryshime radikale, pasi që sipas tij vendet anëtare e kanë timonin në duar.

“Unë mendoj edhe çka kisha pasë dëshirë me e pa është që me ardhjen e Zonjës Kallas në detyrën e saj dhe pastaj të shohim se kush po vendoset si zëvendësues i z. Lajçak se do të ketë më shumë trysni karshi Serbisë, ose së paku propozime për t’iu shtuar trysnia Serbisë për ta zbatuar pjesën e vetë të marrëveshjes. Psh. ne jemi në sanksione si Kosovë dhe e dijmë pse jemi në sanksione si Kosovë, të mos sillemi sikur nuk e dijmë, por në anën tjetër Serbia është përgjegjëse për sulmin në Banjska për të cilin nuk ka marrë asnjë lloj ndëshkimi”, ka deklaruar Ymeri.

Megjithatë, Ymeri mendon se në sytë e ndërkombëtarëve nuk është vetëm Serbia pala që nuk po i zbaton marrëveshjet.

Estonezja Kallas është takuar disa herë me liderët e Kosovës dhe njihet për qëndrime pro integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, kritike e Rusisë dhe dashamirëse e rolit të NATO-së në Evropë.