Opinionisti Xhevat Mustafa ngre alarmin se qeveria e Edi Ramës po u fal sipërfaqe të mëdha toke investitorëve të huaj, duke e cilësuar këtë si cenim të interesit kombëtar.
Ai kërkon përgjegjësi nga institucionet dhe vë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtyre vendimeve.
Shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:
Burak Özçivit aktorit turk, të njohur sidomos nga seriali “Osmani” dhe si erdoganist apo si një nga “bijtë e shumtë për shpirt” të Erdoganit , i janë falur nga qeveria e Shqipërisë, kuptohet me miratim me gojë e shkrim edhe nga Edi Rama, dora vetë, 88.5 hektarë tokë ose rreth 900.000- 1 milionë metra katrorë në Vlorë, duke u vlerësuar si “investitorë strategjikë” ai dhe kompania “Rams Global”, me qendër në Almaty të Kazakistanit, që e përfaqëson, si imazh propagandistik dhe reklame i saj, edhe përtej Kazakistanit dhe Turqisë!
Nga çdo SHQIPTAR, pas përjetimit të befasisë, kundërshtimit, revoltimit…mund të bëhen publikisht dhe shqiptarisht pyetjet:
Pse nuk i japin tokë në Turqi ose Kazakistan këtij aktori, kur vendi i tij ka një sipërfaqe rreth 25 herë më të madhe dhe Kazakistani, 95 herë më të madhe se të Shqipërisë së vogël? Apo, Edi Rama e pandeh dhe e shfrytëzon tokën e Shqipërisë pronë të gjyshërve, të nënës dhe babës, sa mund t’i bëjë dhurata kujtdo që i intereson atij për mbijetesë sa më të gjatë në pushtet, pa ndjerë keqardhje për Shqipëri, shqiptarë, sovranitet dhe integritet territorial të shtetit shqiptar…e pa dashur të dijë fare se ky shtet ka KUSHTETUTË dhe institucione të drejtësisë?! A ka prokuror e gjykatës në Shqipëri, që me KUSHTETUTËN në duar t’i kujtojë kryeministrit Edi Rama se është pushtetar i emëruar apo i zgjedhur me shumicë votash të vjedhura, kartonash apo “kukullash” dhe i shkarkueshëm e jo perandor dhe mbret?!
Përndryshe, nëse vazhdojnë të bëjnë spektatorin dhe të heshtin, qoftë edhe pa dashje, japin vetë arsye të mendohet dhe dyshohet se do të hyjnë e mbeten në histori, me dëshirë e vullnet personal dhe ekipor të plotë, si bashkëfajtorë, bashkëpërgjegjës apo ortakë, pa marrëveshje të shkruara, me atë!?
