Lajme

Kamberi: Kongresi amerikan fut në agjendë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se sot në Uashington ka pranuar zyrtarisht ligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, i cili për herë të parë e vendos diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Kamberit, ligji iu dorëzua personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm institucional për adresimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ky akt nuk është simbolik. Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Kamberi.

Ai theksoi se për herë të parë kjo çështje nuk mbetet më në periferi të diplomacisë ndërkombëtare, por bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e politikës amerikane, duke e cilësuar si një “detyrim moral” të Shteteve të Bashkuara.

Në përfundim, Kamberi ka falënderuar Kongresistin Keith Self për mbështetjen, duke vlerësuar se, sipas tij, “në një botë ku shumë heshtin nga interesi, ai ka zgjedhur të flasë nga parimi”.

Të Ngjashme