Opinione

Kamberi: Toleranca e BE-së ndaj Vuçiqit i ka lejuar shmangien e obligimeve ndaj shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1 ka folur pas miratimit të rezolutës H.R. 6411 nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka të bëjë me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi tutje tha se kjo rezolutë përfaqëson për herë të parë një qëndrim zyrtar të SHBA-së ndaj diskriminimit sistematik që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Ky është një proces i gjatë dhe intensiv i lobimit institucional, i cili ka filluar vite më parë. Miratimi unanim i kësaj rezolute nga kongresistët e të dy partive politike në SHBA është një sinjal shumë i fortë dhe na jep shpresë se ajo do të kalojë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat”, ka thënë Kamberi.

Ai theksoi se rezoluta është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm institucional dhe mbështetjes që, sipas tij, ka ardhur edhe nga institucionet e Kosovës.

“Kjo nismë ka arritur të kalojë Komitetin për Punë të Jashtme pa asnjë votë kundër, çka e bën një votim bipartizan dhe shumë domethënës. Kjo rrit gjasat që projektligji të shndërrohet në ligj”, u shpreh ai.

Duke folur për raportin e Serbisë me Bashkimin Evropian, Kamberi kritikoi tolerancën e BE-së ndaj shkeljeve të të drejtave të pakicave nga regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe të drejtat e pakicave janë pjesë përbërëse e këtij procesi. Nuk ka kuptim që një shtet të avancojë drejt BE-së, ndërkohë që shkel në mënyrë flagrante të drejtat e shqiptarëve, shpesh edhe si hakmarrje ndaj Kosovës”, tha Kamberi.

Ai shtoi se ekzistojnë disa marrëveshje ndërmjet shqiptarëve të Luginës dhe Serbisë, të nënshkruara në vitet 2001, 2009 dhe 2013, si dhe një plan aksioni nga viti 2021, të cilat, sipas tij, nuk po zbatohen.

“Brenga jonë ka qenë se toleranca e tepruar e BE-së i ka krijuar hapësirë manovrimi regjimit të Vuçiqit për t’iu shmangur obligimeve që i ka marrë”, theksoi ai.

Ndryshe, më 21 janar, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan votoi për ta dërguar përpara projektligjin H.R. 6411, i cili kërkon nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përgatitjen e një raporti gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Projektligji adreson çështje si pasivizimi i adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Të Ngjashme