Bota

Kampioni amerikan i shahut, Daniel Naroditsky, ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare

Daniel Naroditsky, mjeshtër i madh amerikan i shahut, i njohur për ndjekësit e shumtë online përmes lojërave të tij të transmetuara drejtpërdrejt dhe mënyrës së thjeshtë me të cilën mësonte shahun, ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare.

Qendra e Shahut e Charlotte-s, një akademi shahu në Karolinën e Veriut ku Naroditsky ishte trajner kryesor, njoftoi vdekjen e tij të hënën përmes një deklarate në rrjete sociale. Njoftimi nuk përfshinte shkakun e vdekjes dhe as vendin ku ai ka ndërruar jetë.

I lindur dhe rritur në zonën e Gjirit të San Franciskos, Naroditsky nisi të mësonte shah në moshën 6-vjeçare, duke filluar një rrugëtim që do ta çonte drejt titullit të Mjeshtrit të Madh, nderimi më i lartë që jepet nga Federata Ndërkombëtare e Shahut për lojtarët më të mirë në botë, para se të përfundonte shkollën e mesme.

Talenti i tij nuk kufizohej vetëm në lojë: ai tregoi një pasion të veçantë edhe për mësimdhënien. Librin e tij të parë mbi strategjinë e shahut e botoi vetëm 14 vjeç, dhe më pas u bë autor i rregullt për revistën Chess Life dhe platforma të tjera të dedikuara lojës. Në vitin 2022, The New York Times e punësoi Naroditskyn si kolumnist për shahun.

/tiranapost

Të Ngjashme