Toksiciteti i kanabisit, veçanërisht lidhja e tij e mundshme me kancerin e mushkërive, është nënvlerësuar prej kohësh.
Megjithatë, studimet e fundit po sfidojnë këtë “pafajësi të rreme”, duke sjellë në vëmendje një numër në rritje të pacientëve të rinj dhe përdoruesve të shpeshtë të kanabisit që diagnostikohen me forma agresive të kancerit të mushkërive.
Dr. Pauline Pradère, pulmonologe në Spitalin Marie Lannelongue në Paris dhe një nga studiuese kryesore në këtë fushë, diskutoi pasojat e kanabisit në shëndetin pulmonar gjatë Kongresit Ndërkombëtar të Varësisë ALBATROS 2025.
Sipas saj, pavarësisht të dhënave të përziera nga studime të mëparshme, ekzistojnë dy faktorë kyç që sugjerojnë një ndikim të dëmshëm të thithjes kronike të kanabisit në mushkëri:
Argumenti i parë është toksikologjik – “Edhe pa marrë parasysh kombinimin e kanabisit me duhanin, kancerogjenë të rëndësishëm gjenden brenda vetë nyjeve të kanabisit”, tha Pradère.
Argumenti i dytë lidhet me efektin bronkodilator të THC-së (tetrahidrokanabinolit) – përbërësi psikoaktiv i kanabisit, i cili çon në një thithje më të thellë të substancave kancerogjene krahasuar me pirjen e zakonshme të duhanit.
Këto të dhëna sugjerojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kanabisit, veçanërisht në sasi të mëdha, nuk është aspak i padëmshëm për shëndetin e mushkërive dhe mund të jetë një faktor kontribuues në rritjen e rasteve të kancerit pulmonar tek të rinjtë.
