Lajme

Kandidati shqiptar për deputet zbulon rolin e Kurtit në bashkimin e partive shqiptare për zgjedhjet në Serbi

Bajram Mustafa, kandidat për deputet në Kuvendin e Serbisë nga Partia Demokratike, ka thënë se meritë për bashkimin e partive shqiptare në një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat mbahen më 25 tetor, ka edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Meritë të madhe ka edhe Albin Kurti që jemi bërë në një listë të përbashkët. Mendoj se edhe suksesi do të jetë më i madh”, ka thënë Bajram Mustafa në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë.

Mustafa kujton kohën kur shqiptarët ishin bashkuar edhe më parë.

“Një herë kur kemi qenë të bashkuar, i kemi siguruar tre deputetë në Kuvendin e Serbisë. Shpresoj se edhe kësaj radhe do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Bajram Mustafa.

Ndryshe, tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të garojnë së bashku në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.

Lista e përbashkët njihet si “Koalicioni Shqiptar”.

 

Të Ngjashme