Lajme

“Kanë vdekur kohët kur dikush ishte mbi ligjin” – Gërvalla e konfirmon: E vërtetë, Lushtaku tentoi ta godasë eskortën e Kurtit!

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mbështetur deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku thotë se, Sami Lushtaku me veturë zyrtare ka dashur ta godasë eskortën e tij gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet e shkurtit 2025.

Në një intervistë televizive, Gërvalla tha se “askush nuk qëndron mbi ligjin në vendin tonë” dhe se “kanë vdekur kohët kur individë e kanë parë veten duke qëndruar mbi ligjin”.

Ajo konfirmoi se dhe pjesëtarë të ekipit të saj kanë qenë afër vendit të ngjarjes dhe tha se versioni i paraqitur nga Kurti është i saktë.

Ka pasur një skenë me veturë. Është e vërtetë se në njërën prej veturave shumë afër ka qenë edhe një pjesë e ekipit tim, atëherë të kabinetit tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është plotësisht e vërtetë ashtu siç e përshkruan kryeministri”, deklaroi Gërvalla, përcjell “Bota sot”.

Sipas saj, përveç incidentit me veturën, ka pasur edhe tentativa për të penguar tubimet zgjedhore të LVV-së në atë zonë.

“Ka përsëri dëshmitarë pa fund për atë çfarë ka ndodhur, por jo vetëm çështja me veturën, ka pasur edhe skena që janë përpjekur të pengojnë tubimet”, tha ajo.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Lushtaku ka bërë të ditur se e ka paditur Kurtin për këto deklarata. Në pjesën e dytë të intervistës, Gërvalla kritikoi qasjen politike të Lushtakut, duke thënë se ai sillet “si pronar i Skenderajt”.

Le ta padisë Sami Lushtaku, sepse Sami Lushtaku, jo vetëm ai por askush, nuk është pronar i asnjë rajoni, as të Drenicës, as të Dukagjinit, as të Llapit, as të Karadakut. Ai sillet absolutisht si pronar i Skenderajt”, deklaroi ajo.

Ajo rikujtoi edhe gjuhën e përdorur nga Lushtaku në të kaluarën, duke përmendur shprehjet fyese ndaj kundërshtarëve politikë, si “kurvat e zagarët”.

Të Ngjashme