Kriza në aviacion po thellohet për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke çuar në anulimin e mijëra fluturimeve dhe bllokimin e pasagjerëve në aeroporte të mëdha në mbarë botën. Ekspertët paralajmërojnë se vonesat dhe anulimet pritet të vijojnë për disa ditë.
Sipas të dhënave të Flightradar24, hapësira ajrore mbi disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Iranin, Irakun, Izraelin dhe shtetet e Gjirit, ka qenë pothuajse e zbrazët, ndërsa ndikimi është ndjerë deri në Evropë dhe Azi. Aeroportet kryesore të tranzitit në rajon kanë operuar me kufizime të forta ose janë mbyllur përkohësisht.
Kompanitë ajrore kanë ndërmarrë pezullime masive: Emirates ndaloi përkohësisht fluturimet drejt dhe nga Dubai, Etihad Airways bëri të njëjtën gjë për Abu Dhabin, ndërsa Qatar Airways pezulloi operimet pas mbylljes së hapësirës ajrore të Katarit. Situata u tensionua më tej pas sulmeve në Liban dhe shkëmbimeve me Hezbollahun.
Efekti domino ka përfshirë gjithë industrinë globale: ekuipazhet janë shpërndarë në kontinente, rifillimi i shpejtë i fluturimeve mbetet i vështirë dhe pasagjerët përballen me mungesë informacioni. Për udhëtarët me mundësi financiare po shfaqen alternativa me avionë privatë, me çmime që arrijnë deri në 350 mijë dollarë për një fluturim nga Riadi drejt Evropës.
/tiranapost
