Lajme

Kapet me 8 kg kokainë, 80 mijë euro dhe ora luksoze, arrestohet shqiptari në Itali

Rreth 8 kilogramë kokainë të fshehura në frigorifer, poshtë paletave dhe pas pllakave të kuzhinës. Kjo është ngarkesa e drogës e kapur pardje nga Policia Financiare e Riminit, e cila kontrolloi banesën e një 44-vjeçari shqiptar, sipërmarrës në sektorin e pasurive të paluajtshme, banues në zonën e Sant’Aquilina. Gjithashtu mes dollapëve, sirtarëve dhe rafteve në zona të ndryshme të shtëpisë u gjetën edhe 80 mijë euro cash, që dyshohet se janë të ardhura të aktivitetit të paligjshëm. Jo vetëm kaq, sepse policia gjeti edhe disa kuti monedhash të rralla, koleksioniste dhe përkujtimore, si dhe ora luksoze (një Cartier, një Rolex dhe një Hamilton, autenticiteti i të cilave është aktualisht në proces).

Sipas hetuesve, të gjitha objektet sipërmarrësi shqiptar i ka blerë me paratë që rrjedhin nga shitja e kokainës. Një mënyrë për të pastruar paratë e pista, me pak fjalë. Së fundi, në sekuestrimin e konsiderueshëm përfshihen edhe 35 municione të kalibrit 12 , të mbajtura pa autorizimin e nevojshëm, për të cilat shqiptari u raportua i lirë. Pas përfundimit të kontrollit, i autorizuar nga Prokuroria e Riminit, 44-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun Casetti , ku mëngjesin e së mërkurës, në prani të mbrojtësit të tij, avokatit Massimiliano Orrù, do të bëhet marrja në pyetje, mbajtur para gjyqtarit hetues të Rimini, Vinicio Cantarini.

Hetimet ndaj sipërmarrësit nisën në dhjetor 2023 , kur në San Benedetto del Tronto u ndalua një Jeep Renegade, e drejtuar nga një 25-vjeçar shqiptar banues në Rimini, i cili mbante 2 kilogramë kokainë. Nga informacionet e grumbulluara dolën prova të rënda rrethanore ndaj 44-vjeçarit shqiptar, i dyshuar se mbante në banesën e tij sasi të mëdha lëndësh narkotike. Një lloj shitësi me shumicë për tregtarët e tjerë të drogës në Riviera, sipas hetuesve. Të mërkurën ai do të mund të sqarojë pozicionin e tij para gjyqtarit hetues.