Lajme

Kapetanoviç: Evropa s’mund t’i lejojë vetes çështje të papërfunduara në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, ka marrë pjesë në Forumin e 19-të të Dubrovnikut, ku ka theksuaer rëndësinë strategjike të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai ka folur në panelin “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja e çështjeve të papërfunduara së bashku”, që u zhvillua në kuadër të forumit me temën “Epoka e multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme”.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka mbledhur udhëheqës politikë, diplomatë dhe ekspertë për të diskutuar mbi ndryshimet në rendin global, sigurinë dhe rolin e Evropës në një mjedis gjithnjë e më të fragmentuar.

Kapetanoviç ka theksuar se angazhimi i BE-së ndaj gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm çështje zgjerimi, por një domosdoshmëri strategjike.

Ai ka nënvizuar se premtimet politike duhet të shoqërohen me reforma konkrete, investime dhe bashkëpunim më të thelluar rajonal, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët.

“Angazhimi i Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm çështje e politikës së zgjerimit; ai është një domosdoshmëri strategjike për Evropën në tërësi. Rajonit i nevojitet një rrugë e besueshme, e drejtë dhe e bazuar në merita drejt anëtarësimit, por besueshmëria duhet të shoqërohet me rezultate. Zotimet politike duhet të përkthehen në reforma, investime, bashkëpunim më të fuqishëm rajonal dhe përfitime konkrete për qytetarët. Në një botë më të fragmentuar dhe më të pasigurt, përfundimi i projektit evropian nënkupton integrimin e vendosur të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, tha Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović”, është shprehur ai.

Në panel kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian, përfshirë ministrat e jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi, si dhe përfaqësues të BE-së dhe Austrisë.

Në margjinat e forumit, Kapetanoviç ka zhvilluar gjithashtu një takim dypalësh me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, ku është diskutuar bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor./teve1.info/

Të Ngjashme