Lajme

Kastrati: Kurtin do ta mposhtin rrenat e tij

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se vendi është në krizë të jashtëzakonshme dhe sipas tij, këto janë rezultate të keqqeverisjes së kryeministrit aktual, Albin Kurti.

Kastrati tha se Kurtin në zgjedhjet e ardhshme do ta mposhtin gënjeshtrat e tij, teksa sipas tij, kreu i qeverisë është treguar i “pashpirt” me mësimdhënësit.

“Këto fakte do ta mund rrena e vet që ka premtuar se do ta lirojë vajin, miellin e sheqerin dhe i ka shtrenjtuar. Do ta mbys rrena e vet që ka thënë se do ta lirojë rrymën, por e ka shtrenjtuar 100 për qind. Ka me mposhtë se do ta bëjë Bankën Zhvillimore e s’e ka bë. Ka me mposhtë rrena e vet që ka thënë se për 4 mijë çifte do t’i bëjë banesat sociale e s’i ka bë”.

“Do ta mposhtë rrena e vet që ka thënë se do të bëjë banim me lehtësira për mësimdhënësit, përkundrazi, s’ua ka dhënë rrogën që kërkonin rritje të pagave, i pashpirt është treguar me ta. Këto fakte kanë me mujtë Albin Kurtin”, tha Kastrati.

Më tej, ai tha se oferta e kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është oferta për normalitet dhe jo për paragjykime, e sipas tij, ajo ofertë do ta mposhtë Kurtin.