88
Shërbimet e urgjencës po mbështesin mbrojtjen nga përmbytjet në Evropën Qendrore dhe Lindore pasi reshjet e rrëmbyeshme frynë lumenjtë dhe dëmtuan mijëra shtëpi.
Një person ka vdekur në Poloni, konfirmoi të dielën kryeministri Donald Tusk.
Stuhia Boris rezultoi vdekjeprurëse në Rumani të shtunën, ku katër persona humbën jetën gjatë përmbytjeve në rajonin juglindor të Galatit.
Në Republikën Çeke, përmbytjet kanë çuar në evakuime dhe 51 mijw familje në zonat veriore të vendit janë goditur nga ndërprerjet e energjisë, thotë kompania çeke e energjisë CEZ. Barrierat nga përmbytjet janë rritur në kryeqytetin Pragë.
“Ne po përballemi përsëri me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në kontinentin evropian, me pasoja dramatike”, tha të shtunën presidenti rumun Klaus Iohannis.
Reshjet ekstreme po bëhen më të mundshme në Evropë, si në pjesën më të madhe të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi, gjë që mund të çojë në reshje më të mëdha shiu.
Në Glucholazy, në rajonin jugperëndimor të Polonisë, Opole, kryetari i qytetit tha se lumi lokal kishte dalë nga brigjet e tij dhe tani po përmbyste qytetin. Ai u bëri thirrje banorëve që të evakuohen në një zonë më të lartë të dielën.
Në Krakov, qyteti i dytë më i madh i Polonisë, banorëve u janë ofruar thasë me rërë për mbrojtje nga përmbytjet.
Në Republikën Çeke, një digë shpërtheu të shtunën në rajonin e Bohemisë Jugore të vendit. Ministri i Mjedisit Petr Hladik u kërkoi atyre në zonat më të goditura të përgatiten për të lënë shtëpitë e tyre.
Hladik tha se toka ishte e ngopur dhe uji i shiut po qëndronte në sipërfaqe – duke rritur rrezikun e përmbytjeve të shpejta. Deri të martën priten reshje shiu në Republikën Çeke, tha ministri.
Kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi po përgatitet për “një fundjavë të vështirë”. Autoritetet kanë ngritur mure mbrojtëse me thasë rëre dhe barriera metalike.