LifeStyle

Katër arsye pse gjumi është i rëndësishëm nëse doni të humbni peshë

Edhe pse çdo dietë ka qasjen e vet për humbjen e peshës, bazat janë përgjithësisht të njëjta dhe përfshijnë reduktimin e kalorive me rritjen e aktivitetit fizik. Megjithatë, gjumi, i cili luan një rol të rëndësishëm në humbjen e peshës, shpesh neglizhohet në këtë proces.

Mjekët shpesh rekomandojnë të paktën shtatë orë gjumë çdo natë, por për shkak të ritmit të shpejtë, njerëzit në mbarë botën po flenë më pak. Megjithatë, gjumi është thelbësor për funksionimin e shëndetshëm të trupit dhe mund të ndikojë në hormonet tuaja, shëndetin e zorrëve, procesin e ruajtjes së yndyrës dhe madje edhe aftësitë tuaja vendimmarrëse.

Mungesa e gjumit çon në çekuilibër hormonal

Sa shumë flini ndikon në prodhimin e hormoneve leptin dhe grelin në trupin tuaj. Leptina është një hormon që trupi e lëshon për të rritur ngopjen tuaj ose për të rregulluar marrjen e ushqimit dhe shpenzimin e energjisë, duke ndihmuar organizmin ta mbajë peshën.

Kufizimi i gjumit mund t’i zvogëlojë nivelet e leptinës në trup. Nga ana tjetër, oreksi juaj rritet, gjë që mund t’ju bëjë të hani tepër, sepse më pas rritet niveli i grelinës – një hormon që rrit ndjenjën e urisë.

Mungesa e gjumit gjithashtu mund të rritë nivelet e kortizolit, një hormon i lidhur me stresin. Kortizoli i ngritur në mënyrë kronike, jo vetëm që mund ta rritë urinë tuaj, por gjithashtu mund të ndikojë negativisht në metabolizëm – sipas një studimi të nëntorit 2015 të botuar në Sleep Science‌.

Ruajtja dhe humbja e yndyrës

Rritja e kortizolit e shkaktuar nga gjumi i kufizuar mund të ndikojë gjithashtu në ruajtjen e yndyrës nga organizmi. Në mungesë të gjumit, ju tentoni të ruani më shumë yndyrë në zonën e barkut.

Sipas një studimi të shtatorit 2019 të botuar në Journal of Lipid Research, edhe vetëm disa ditë privimi nga gjumi, mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi depoziton yndyrën nga ushqimi.

Ritmi cirkadian luan rol në shëndetin e zorrëve

Ashtu si pesha që mund të ndikohet nga hormonet tuaja, humbja e peshës mund të pengohet nga sistemi i zorrëve, sepse luan një rol të madh në tretjen dhe përpunimin e ushqimit, ilaçeve, hormoneve dhe substancave të trurit.

Shëndeti i zorrëve mund të rrezikohet tek ata që janë aktivë gjatë natës – sipas një studimi të vitit 2019 të publikuar në revistën Nature. Mungesa e gjumit ndikon në ritmin tuaj cirkadian (ora e brendshme e trupit, e cila rregullon gjumin) që mund t’i dëmtojë zorrët.

Disponim i keq

Jo vetëm që gjumi mund të ndikojë në ndjenjat tuaja të urisë dhe ngopjes, por gjithashtu mund të ndikojë në llojin e ushqimit që dëshironi. Sipas një studimi të vitit 2016 të botuar në revistën ‌Sleep‌, privimi i gjumit aktivizon pjesët e trurit të lidhura me motivimin dhe shpërblimin, të cilat mund të rritin dëshirat, veçanërisht për ushqime të pashëndetshme.

Mungesa e gjumit gjithashtu ndikon negativisht në korteksin paraballor të trurit, i cili është përgjegjës për kontrollin e impulseve dhe ju ndihmon të merrni vendime më të mira.