Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka dërguar letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëndrimet dhe rekomandimet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në konferencë për media, Vullnet Bugaqku nga KDI ka thënë se ky projektligj do të duhej të ketë konsultim publik dhe të jetë në përputhje me standardet kushtetuese dhe evropiane.
Bugaqku: Kemi kërkuar nga deputetët që tw marrin për bazë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese
“Ne si organizatë sot kemi dërguar një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kemi paraqitur qëndrimet e KDI-së sa i përket Ligjit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në kuadër të kësaj letre, ne kemi kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin për bazë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias sa i përket shqyrtimit të mëtutjeshëm të këtij ligji në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, ne fillimisht e kemi vlerësuar si të rëndësishëm faktin edhe rëndësinë e reformave që synojnë forcimin e luftës kundër korrupsionit në Kosovë dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si një mekanizëm i ri i cili do të implementohet në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se ky projektligj i miratuar në qeveri nuk i është nënshtruar konsultimit publik, siç kërkojnë procedurat ligjore. Kësisoj, kërkoi që në mes të dy leximeve për këtë projektligj të respektohen standardet e BE-së dhe parimi i transparencës.
Bugaqku: Kuvendi të respektojë standardet kushtetuese dhe të BE-së për Byronë
“Meqë në qeveri nuk pati proces të konsultimit, atëherë ne kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që me rastin e shqyrtimit të tij në dy leximet të respektojë standardet kushtetuese të hartimit të legjislacionit dhe gjithashtu të respektojë standardet e Bashkimit Evropian sa i përket respektimit të parimit të transparencës dhe të përfshirjes së publikut dhe gjithë aktorëve përkatës”, shtoi ai.
Bugaqku tha se ky projektligj duhet të përmirësohet në dy elemente.
Bugaqku: Ky ligj të përmirësohet së paku në dy elemente
“Ne konsiderojmë që ligji si i tillë duhet që së paku të përmirësohet ose të harmonizohet së paku në dy elemente, e para që në kuadër të nenit 2, të paragrafit 2 ku është përcaktuar periudha kohore, me të cilën vlen inicimi apo edhe procedimi i zbatimit të këtij projektligji të mos jetë më e gjatë se 10 vjet ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, sepse aktualisht drafti në projektligj përmban një periudhë të retroaktivitetit, ku thuhet që pasuria e pajustifikueshme mund të verifikohet që nga 17 shkurti i vitit 2008 e tutje dhe ne konsiderojmë që një afat i tillë bie ndesh me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar që institucionet e Kosovës të garantojnë me ligj periudhën e verifikimit të pasurisë por jo më gjatë se sa 10 vite”, tha ai.
Po ashtu, Bugaqku tha se duhet të trajtohet edhe çështja e kompetencave për nxjerrjen e legjislacionit sekondar.
Bugaqku: Procedurat vetëm me ligj, assesi autoriteti i Byrosë të ketë të drejta dhe kompetenca
“Ne kemi kërkuar që në këtë ligj të specifikohen qartë kriteret për aplikimin e retroaktivitetit dhe gjithsesi të shmangen interpretimet arbitrare dhe interpretimet e gjera me rastin e zbatimit të kësaj procedure. Çështja e dytë që kemi kërkuar është që deputetët e Kuvendit të Kosovës me rastin e shqyrtimit të këtij projektligji të diskutojnë dhe të shqyrtojnë faktin që një dispozitë në ligj lejon mundësinë që autoriteti i Byrosë, institucioni në fjalë të nxjerr akte nënligjore me qëllim të realizimit të procedurës së verifikimit të hetimit dhe të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Ne mendojmë që procedura si e tillë duhet të rregullohet vetëm me ligj dhe assesi autoriteti i Byrosë të mos ketë të drejtë dhe kompetencë që nëpërmjet një akti nënligjor nëpërmjet një rregulloreje apo udhëzimi administrativ të përcaktojë kriteret, modalitetet dhe mënyrën se si do të zhvillohet procedura e hetimit dhe e verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme”, deklaroi ai.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
