Pas shqetësimeve të qytetarëve për saktësinë e matësve të energjisë elektrike, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka sqaruar se të gjithë njëshorët janë të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë me saktësi.
Sipas komunikatës së KEDS, “të gjithë matësit e energjisë elektrike kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit.
“Të gjithë matësit e energjisë elektrike (njehsorët) kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit të tyre, duke siguruar funksionim me saktësi maksimale. Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thuhet në komunikatë.
Kompania ka theksuar se sinkronizimi i orës në njëshorë bëhet me një nivel të lartë precizioni, në mënyrë që të gjithë konsumatorët të përfitojnë nga tarifat e ulëta në të njëjtën kohë.
Megjithatë, KEDS-i ka pranuar se mund të ndodhin raste të izoluara me devijime teknike, por siguron se ekipet teknike reagojnë menjëherë për të zgjidhur çdo problem.
“Në raste të izoluara, mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por edhe në këto raste kohëzgjatja e përfitimit me tarifë të ulët dhe të lartë është e saktë. Pasi që kohëzgjatja është e matjeve tarifore është e saktë, por ka ndonjë shpërputhje kohore, KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese apo vërejtjeje nga konsumatorët. Ekipet tona teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e shpejtë dhe profesionale të çdo problemi”, thuhet në reagimin e KEDS.
KEDS ka bërë thirrje gjithashtu që partitë politike dhe palët e tjera të përmbahen nga deklaratat që mund të keqinterpretohen.
Në vitin e kaluar, kompania ka instaluar mbi 130 mijë njëshorë të rinj digjitalë, duke zëvendësuar matësit e vjetër dhe duke përmirësuar saktësinë e matjeve.
