Lajme

KEK pret rritje të prodhimit të rrymës edhe në shkurt, premton edhe befasi tjera të mira

Korporata Energjetike e Kosovës, është në rrugë të mirë që edhe në muajin shkurt ta vazhdojë rritjen pozitive të prodhimit, sikur që ndodhi në dhjetor e janar.

Kjo pasi në këta dy muaj, KEK, siç u bë e ditur në një njoftim të 8 shkurtit, shtoi për më shumë se 110 mijë MWh prodhimin e vetë.
Sipas të dhënave të kësaj korporate, gjatë dhjetorit 2025 u prodhua 27 % më shumë rrymë ose plus 46,539 MWh, ndërsa në janar 2026 me 32.9 % më shumë ose plus 63,003 MËh, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit paraprak.

Krejt kjo, sipas KEK, ka kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji në vend, ani se kjo kërkesë ishte e rritur
Krejt këtë punë me rekorde e bën edhe më të “ëmbël” fakti se KEK, që nga 19 dhjetori ka operuar në regjim të jashtëzakonshëm, ose sic është thënë “mbi standardin normal” duke mbajtur tre blloqe të Termocentralit “Kosova A” në operim njëkohësisht për 31 ditë, duke e cilësuar këtë si ngarkesë të lartë operative dhe dëshmi të mobilizimit teknik.
Besimi se edhe shkurti mund të sjellë rekorde të reja në prodhim bazohet në faktin që së fundi u kthye në punë edhe njësia A5 e TC “Kosova “, pas sanimit të “të suksesshëm të rrjedhjeve të paraqitura ditë më parë, duke përmbushur, sic u bë e ditur në një njoftim, po të 8 shkurtit, “të të gjitha kushteve teknike dhe të sigurisë për vazhdimin e operimit të rregullt’.
Kësisoj, vazhdohet ecuria e suksesshme e vitit 2025, që bazuar në Bilancin Vjetor Energjetik të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energj, pati realizuar 97% të planit vjetor të prodhimit.

Pos prodhimit të rrymës nga thëngjilli, KEK ka njoftuar, se në kuadër të diversifikimit të burimeve, projekti strategjik “Solar4Kosovo I Photovoltaics” (park solar me kapacitet minimal 100 MW) ka hyrë në fazën e tenderimit për implementim, përmes ftesës për parakualifikim për dizajn, furnizim dhe instalim.
Po ashtu, projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të njësisëA3 është prezantuar si investim kapital me vlerë të konsiderueshme (137 milionë euro), gjë që siç u tha, lidhet me përmirësimin e performancës dhe jetëgjatësisë së kapaciteteve gjeneruese.

Të Ngjashme