23
Një recetë e thjeshtë, e ëmbël e cila përgatitet krejt thjeshtë dhe pa shumë mundim.
E shijshme dhe e kombinueshme në mënyra të ndryshme, me fruta të thata, arra, bajame, lajthi, fruta të freskëta, por edhe akullore me shije të ndryshme.
Nëse preferoni, gjatë përgatitjes së brumit mund ta shtoni pak banane të prerë në kubikë apo fruta të tjera që preferoni.
Një kombinim tjetër interesant i këtij keku është përdorimi i pak arre kokosi të grirë gjatë përgatitjes së brumit
Përgatitja e Kekut me Kos
Përbërësit
2 gota uji me miell gruri
2 kokrra vezë
1 gotë uji sheqer
2 filxhan kafeje kos
2 filxhanë kafeje gjalpë të tretur (për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit, madje edhe në rastin e ëmbëlsirave)
2 lugë gjelle lëkurë limoni apo portokalli e grirë
½ e lugës së kafesë me sodë buke
1 filxhan kafeje me arra të thërrmuara (sipas preferencës)
Një lugë sheqer pudër
Përgatitja
Si fillim duhet që në një tas të rrihni vezët me sheqerin.
Në vijim shtoni kosin, gjalpin e tretur, lëkurën e limonit ose portokallit, arrat e thërrmuara dhe nëse dëshironi edhe fiq të thatë të grirë hollë.
E gjithë masa përzihet mirë.
Më pas, sitet mielli, përzihet me pak sodë buke dhe i hidhet masës së përgatitur.
Brumi nuk duhet të rrihet shumë që të mos bëhet elastik.
Pastaj hidhet në një formë keku apo tepsi të lyer më parë me pak vaj dhe të pudrosur me miell.
Piqet në furrë përreth 35-40 minuta në 180 gradë.
Lihet të ftohet pak, hiqet nga tava dhe sipër i hidhet sheqer pudër.
Gjatë përgatitjes së kekut një pjesë e tij mund të përzihet sipas preferencës me kakao dhe i hidhet sipër, kurse pjesa tjetër lihet e bardhë./AgroWeb.org
ks