LifeStyle

Keni filluar punë të re? 6 gjërat që duhet të bëni në tre muajt e parë

Bota ka ndryshuar në mënyrë radikale në dy vite shumë të shkurtra, duke bërë që shumë prej nesh të ndalojnë dhe të marrin kohë për të ndryshuar punët e tyre. Nëse jeni njëri prej shumë punonjësve që u larguan nga kompania ku punonte për të ndjekur diçka ndryshe, mund të jeni përballur me më shumë të papritura nga sa prisnit.

Nga ana tjetër, mund ta keni takuar ekipin tuaj vetëm online dhe mund të ndiheni paksa të shkëputur prej tyre. Në vend që të keni përvoja të paharrueshme me njerëzit, ju mund të jeni duke memorizuar thjesht emra dhe fytyra në ekranin e kompjuterit, duke u përpjekur ende që të kuptoni se kujt duhet t’i drejtoheni për diçka të caktuar.

Ajo përvoja e qetë e fillimit të një pune të re që prisnit mund të duket tashmë më shumë si një udhëtim plot me gunga.

Lajmi i mirë është se mund të përdorni disa strategji të shpejta për t’u përshtatur sa më mirë, për të krijuar marrëdhënie me kolegët dhe për të treguar vlerën tuaj.

Filloni të ndërtoni markën tuaj personale

Filloni duke identifikuar tre gjërat kryesore që do të dëshironit që dikush të dinte për ju. Për shembull, llojet e problemeve që jeni më të zotë për t’i zgjidhur, gjërat për të cilat jeni të pasionuar, rezultatet që keni arritur dhe mënyrën se si ato tregojnë pikat tuaja të forta.

Duke qenë të qartë dhe të qëllimshëm, do të jeni në gjendje që t’i sillni natyrshëm këto elementë në biseda dhe t’i ndihmoni njerëzit të kuptojnë më shpejt se kush jeni.

Përcaktoni se çfarë nënkuptoni me “sukses”

Një nga gjërat më të vlefshme që mund të bëni është të përcaktoni se cili është suksesi në pozicionin tuaj. Me fjalë të tjera, çfarë do të jepni në gjashtë muajt e parë dhe në vitin e parë në këtë punë të re? Pyesni të tjerët, veçanërisht menaxherin tuaj, për të marrë edhe mendimin e tyre. Në këtë mënyrë do të kuptoni shumë shpejt se cilat janë gjërat ku mund të keni ndikimin më të madh në kompani.

Bëni ato pyetje që nuk mund t’i bëni më vonë

Në 90 ditët e para në punën tuaj të re, do të keni lirinë për të bërë pyetje të ndryshme, si dikush që është i ri dhe po mëson. Për këtë arsye, keni mundësinë që të bëni pyetjet më kritike. Zbuloni mënyrën se si funksionojnë gjërat në këtë vend, bashkë me çdo rregull të pashkruar që duhet të keni parasysh.

Kjo do t’ju japë disa informacione të vlefshme për kulturën e kompanisë dhe për dinamikën e grupit. Pyesni se kush duhet të përfshihet në lloje të ndryshme vendimesh dhe për mënyrën se si merren ato.

Kjo do t’ju ndihmojë të identifikoni liderët formalë dhe ata joformalë. Mos u shpërqendroni nga grafiku organizativ i kompanisë. Në vend të kësaj, zbuloni se cilët persona kanë më shumë rëndësi për suksesin e pozicionit dhe të ekipit tuaj.

Krijoni një balancë mes marrëdhënieve dhe rezultateve

Edhe nëse dëshironi të tregoni se jeni personi i duhur për këtë punë, jini të gatshëm për të njohur njerëzit e tjerë dhe për t’i dhënë atyre mundësinë që t’ju njohin në muajt e parë. Kjo do të krijojë themelet për një marrëdhënie më të fortë dhe më të besueshme.

Nuk është nevoja që bisedat me ta të marrin shumë kohë. Edhe 10 minuta për të pasur një diskutim dhe për të ndarë një interes personal me të tjerët për të prezantuar veten, mund të jenë të mjaftueshme. Duhet thjesht që të tregoni kuriozitet të vërtetë dhe dëshirë për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën.

Nuk është nevoja që të keni një axhendë formale. Njerëzit do ta vlerësojnë vërtetësinë tuaj.

Krijoni marrëdhënie me të gjitha nivelet në kompani

Mos bëni gabimin që të fokusoheni në kultivimin e marrëdhënieve vetëm me personat me më shumë eksperiencë. Përshtypjet e kolegëve tuaj mund të kenë një ndikim të madh në mënyrën se si ju shohin drejtuesit dhe punonjësit e tjerë të kompanisë.

Merrni sugjerime se kë duhet të njihni dhe çfarë është e rëndësishme të dini rreth tyre. Më pas, vendosni një ritëm të rregullt të takimeve me ta, edhe nëse këto takime janë vetëm një herë në tre muaj apo thjesht 15 minuta. Përdoreni këtë kohë për t’u interesuar për ta, për t’i pyetur për prioritetet dhe për sfidat e tyre, për të ofruar ndihmën tuaj dhe për të ndarë disa nga sukseset tuaja.

Vendosni mënyrën se si të tjerët duhet të punojnë me ju

Nëse do t’ju duhej t’i jepnit dikujt këshilla se si të punonte më mirë me ju, çfarë do t’i thonit atij? Për shembull, si preferoni të komunikoni: cilat janë metodat, frekuenca dhe format më të mira të komunikimit për ju? Sa ju pëlqen që të jepni ose të merrni komente formale apo joformale? Hiqni variablën e misterit nga ekuacioni.

Ekipi dhe menaxheri juaj mund të kenë nevojë për këtë informacion, ashtu si dhe të tjerët.

Nëse e keni kaluar tashmë kufirin 90-ditor në kompaninë ose në rolin tuaj të ri, mos u shqetësoni. Këto strategji mund t’ju ndihmojnë për të vazhduar e për të ndërtuar marrëdhënie, për të mësuar rreth organizatës dhe për t’u bërë një vlerë e shtuar për të.