E ftohura dhe gripi kanë shumë simptoma të përbashkëta, sa që ndonjëherë është shumë e vështirë të bësh dallimin mes të dyjave duke u bazuar vetëm tek ato. Të dyja sëmundjet shkaktohen nga viruset, por këto viruse janë të ndryshëm.
Virusi ose viruset që shkaktojnë gripin shkaktojnë më shumë dëm në organizëm se viruset përgjegjës për të ftohurën.
Çfarë është sëmundja e të ftohurës?
E ftohura është një infeksion viral i pjesës së sipërme të sistemit të frymëmarrjes ku bëjnë pjesë: hunda, fyti, sinuset, trakea, laringiti dhe tubat bronkialë. E ftohura shkaktohet nga të paktën 200 viruse të ndryshme që janë ngjitës dhe transmetohen te të tjerët. Kohëzgjatja e saj është 7 deri në 10 ditë, por mund të zgjasë deri në dy javë.
Çfarë janë virozat dhe gripi ?
Gripi është një infeksion viral i sistemit të sipërm respirator ose atij të poshtëm që shkaktohet nga virozat. Viruset shkaktojnë shumë dëme në rrugët e frymëmarrjes. Gripi zgjat nga 5 ditë deri në dy javë në varësi të infeksionit. Gripi ka potencialin të kthehet në një sëmundje deri vdekjeprurëse te disa njerëz me imunitet të brishtë.
Shkaktarët dhe faktorët e rrezikut
Gripi shkaktohet nga viruse që i përkasin dy kategorive: viroza A ose viroza B. E ftohura zakonisht shkaktohet nga rinoviruset, por janë rreth 200 viruse përgjegjëse për këtë sëmundje. Faktorët e rrezikut për të dyja sëmundjet janë të ngjashme.
1.Kontakti i afërm me një person të sëmurë
Ky kontakt arrihet nëpërmjet pështymës ose produkteve të prekura nga i sëmuri siç mund të jenë peshqirët, furça e dhëmbëve apo gota e ujit.
Kontakt me objekte të prekura nga i sëmuri siç mund të jetë doreza e derës e gjëra të tjera të përditshmërisë. Rreziku është më i madh te njerëzit me sistem imunitar të dobët. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj këtyre viruseve.
Stresi, duhanpirja dhe mungesa e gjumit rrisin rrezikun e infektimit. Njerëzit që nuk kryejnë vaksinën e gripit janë më të predispozuar të preken nga sëmundja për shkak të numrit të madh të viruseve.
Si të bëni ndryshimin mes dy sëmundjeve
Në fazën fillestare të secilës prej sëmundjeve është e vështirë të bëhet dallimi, por me kalimin e ditëve situata është më e qartë. Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, gripi shoqërohet me temperaturë ndërsa e ftohura rrallë herë. Gripi shoqërohet me dhimbje të forta muskulare dhe dhimbje koke. E ftohura shoqërohet me pak kollë, ndërsa në rastin e gripit kolla është më e rëndë. Ndjesia e drobitjes është më e fortë në rastin e gripit. Të dyja sëmundjet shkaktojnë lëndime të fytit dhe sekrecione në hundë. Simptomat e gripit shpërthejnë për 3 deri në 6 orë, ndërsa të të ftohurës më ngadalë. Simptomat e gripit janë më të egra në krahasim me të të ftohurës.
Kur duhet shkuar te mjeku
Nëse keni vështirësi në frymëmarrje, lëndim të fytit, kollë me sekrecione me nuancë jeshile, dhimbje të kraharorit dhe temperaturë të lartë duhet të vizitoheni menjëherë.Të moshuarit, gratë shtatzën, njerëzit që vuajnë nga diabeti, fëmijët nën moshën 2 vjeçare janë më të rrezikuar nga gripi.
Kurat më të mira të shtëpisë kundër të ftohtit dhe gripit janë të ngjashme. Zakonisht rekomandohen doza të larta të vitaminës C, qëndrimi në ajër me lagështirë, banjë me avull, gargarë me ujë me kripë, kompresa, çaj me mjaltë, limon dhe xhenxhefil e të tjerë.
Burimi: “AgroWeb”