Lajme

Keqpërdori masën e dorëzanisë, një muaj paraburgim për të dyshuarin për krim të organizuar

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se, i ka caktuar masën e paraburgimit një personi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve”.

Sipas njoftimit, të pandehurit M.M, i është hequr masa e dorëzanisë dhe i është caktuar që vlerën e mjeteve monetare në shumë prej 30 mijë eurosh, të deponuar më datë 27.03.2023 në emër të dorëzanisë, ta dergojë në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në çështjen penale për të pandehurin M.M, për heqjen e masës së dorëzanisë dhe caktimin e masës se paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i Organizuar lidhur me veprën penale Prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit M.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji dhe i është hiqur masa e dorëzanisë. Të pandehurit M.M i hiqet masa e dorëzanisë dhe caktohet se vlera e mjeteve monetare në shumë prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) euro, e deponuar më datë 27.03.2023 në emër të dorëzanisë, të derdhet në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, thuhet në njoftim.

Më tej, është treguar se M.M. me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe të strukturuar kriminal, me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, janë marrë me prodhimin dhe kultivimin e substancave narkotike të cilat i përpunojnë dhe më vonë i shesin, po ashtu edhe kanë blerë me qëllim të shitjes të substancave narkotike të llojit marihuan dhe kokainë, ashtu që me rastin e kontrollit të zbatuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhëresë të gjykatës, tek i pandehuri janë gjetur një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjellura narkotike, paisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg, e të cilat janë sekuestruar nga policia me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve, me këtë ekziston dyshimi mirë i bazuar se ka kryer veprën penale Krim i organizuar lidhur me veprën penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropçe, analoge apo veglave, paisjeve apo materijaleve narkotike”, bëhet e ditur në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se, arsyeja e caktimit të masës së paraburgimit të tij është për shkak se ekziston rreziku që i pandehuri nëse lihet i lirë, të ikë përmes Serbisë pasi i njëjti posedon nënshtetësi serbe.

“Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse rreziku i ikjes i referohet faktit se i pandehuri ka qenë nën masën e dorëzanisë, i cili e ka dorëzuar edhe dokumentin e udhëtimit – pasaportën sipas vendimit të gjykatës, por i njëjti është ndaluar në pikën kufitare më datë 27.09.2024 rreth orës 23:00 duke hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë, pa dokument të udhëtimit – pasaportë, pasi  të njëjtit i është ndaluar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës, e që me këtë nëse i njëjti lihet në liri paraqet rrezik real për ikjen e tij, sidomos në territorin e shtetit të Serbisë, pasi i njëjti ka nënshtetësi serbe, andaj edhe rreziku i ikjes, zvarritja e procedurës penale e potencialisht edhe përsëritja e veprave penale ekziston, ngase i njëjti ka vepruar në grup kriminal të organizuar, atëherë gjykata vlerësoj se kërkesa e prokurorisë është mjaftueshëm e bazuar” theksohet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë./teve1.info/