Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka deklaruar se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet është rezultat i votës dhe besimit të qytetarëve.
Ai ka dënuar çdo përpjekje për ta paraqitur këtë si rezultat të dhunës, duke kërkuar që institucionet kompetente të trajtojnë seriozisht çdo thirrje për dhunë apo kërcënim ndaj institucioneve.
“Demokracia mbrohet me argumente, me votë dhe me institucione, jo me dhunë”, ka thënë Kërçeli.
“Në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje! ka ardhur përmes votës dhe besimit të qytetarëve, nëpërmjet një procesi demokratik.
Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur ardhjen e saj në pushtet si rezultat të dhunës është deformim i së vërtetës dhe shtrembërim i realitetit politik.
Po ashtu, çdo thirrje për dhunë, kërcënim ndaj institucioneve, duhet të merret seriozisht. Institucionet e sigurisë dhe organet kompetente duhet t’i trajtojnë këto raste dhe, kur ka bazë ligjore, t’i ftojnë në përgjegjësi personat që bëjnë thirrje të tilla.
Demokracia mbrohet me argumente, me votë dhe me institucione, jo me dhunë”, shkruan ai.
