2
Kërkesa e Serbisë për demarkimin e fshatit Suhadoll në pjesën veriore të Mitrovicës si parakusht për hapjen e Urës së Ibrit ka ngjallur reagimin e anëtarit të VV’së, Agim Bahtirit.
Bahtiri ka “qetësuar” banorët e fshatit Suhadoll dhe fshatërave përreth duke thënë se “këta kufij janë të qartë dhe të pandryshueshëm” sipas Pakos së Ahtisaar-it, shkruan Insajderi.
“Lus banorët e Suhodollit që të qëndrojnë të qetë, pasi është e qartë se sipas Planit të Ahtisarit, Suhodolli mbetet pjesë e jugut të Mitrovicës, ashtu si fshatrat Vidimriq, Gushavc, Vinarc i Epërm, Vinarc i Poshtëm, Suhodolli i Epërm dhe Suhodolli i Poshtëm. Këto janë kufij të qartë dhe të pandryshueshëm”, ka deklaruar Bahtiri.
“Për çdo ndryshim të Planit të Ahtisarit nevojiten 2/3 e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prandaj kërkesa e Serbisë nuk ka asnjë bazë. Ne nuk do të lejojmë asnjë lëvizje që cenon tërësinë territoriale të Mitrovicës dhe kryeministri Albin Kurti është i informuar qysh në 2015 për këtë plan të Serbisë, andaj kemi bashkëpunuar ngusht që kjo të mos ndodhë dhe jam i bindur se ai nuk do ta marrë në konsideratë një kërkesë të tillë që vjen nga Serbia”.
“Sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm dhe çdo përpjekje për të imponuar kërkesa të pabaza do të hasë në kundërshtimin e institucioneve të Kosovës”, përfundon postimi i tij.