Lajme

Kërkesa e SPAK për të izoluar Berishën, Sula: Vështirë të drejtojë PD nga shtëpia

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar kërkesën e SPAK për “arrestin në shtëpi” të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sula ka thënë se kërkesa e SPAK për të ndaluar Berishën të komunikojë me persona të tjerë përveç familjarëve të tij është e tepruar.

Sipas deputetit opozitar Berisha është në të drejtën e vetë personale për të ushtruar aktivitetin politik për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë, por do ta ketë të vështirë drejtimin me kufizimet e kërkuara ndaj tij.

“Kërkesa e SPAK është e tepruar, duke marrë parasysh që nuk i lejohet komunikimi me personat jashtë familjes. Berisha është në të drejtën e vetë personale për të ushtruar aktivitetin politik për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë.” – ka thënë deputeti i PD.

Gjithashtu ndër të tjera Dashnor Sula i ftuar në News 24 u shpreh se me këtë vendim të SPAK, Berisha do e ketë të vështirë dtrejtimin e PD

 “Nuk i di mjetet që do të përdorë Berisha për të patur komunikim me PD-në. Duhet të jemi të sinqertë, me kufizimet që ka është shumë e vështirë për të drejtuar partinë nga shtëpia nën arrest.

SPAK për mua është një institucion për t’u vlerësuar dhe që duhet inkurajuar, por s’mund të kem iluzione për të thënë se ka përmbushur detyrën plotësisht për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta”, – tha Sula.

Në kërkesën e SPAK drejtuar GJKKO-së të zbardhur sot kërkohet që Sali Berisha të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër përveç personave që jetojnë me të në banesën e tij.

SPAK kërkon që Berisha të ‘izolohet’ në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë ku punonjës policie do të sigurojnë që ai të mos largohet nga banesa si dhe i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që banojnë me të.

Kjo do të thotë se Berishës i ndalohet edhe komunikimi me ndjekësit e tij në facebook apo platformat e tjera sociale.

Kërkesa e SPAK për masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës
Kërkesa e SPAK për masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës

“… me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”– thuhet në kërkesën e zbardhur të SPAK.

Seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-kryeministrin Sali Berisha, e cila u mbajt ditën e sotme, u shty për nesër, më 27 dhjetor. Shkak për këtë shtyrje u bë kërkesa e dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj dhe Solol Mëngjesit për t’u njohur me provat e SPAK.

Në këto kushte, kërkesa e mbrojtjes u pranua dhe seanca e radhës do të zhvillohet nesër, ditën e mërkurë në orën 11.00.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo