Lajme

Kërkohet ndërgjegjësim i qytetarëve në mbrojtje të mjedisit

Po bëhen gati t’a kryejnë një detyrë.

E punë u doli goxha.

Këta ta rinj, vullnetarisht dolën këtë të mërkurë për të mbledhur mbeturina.

Këtë angazhim zgjodhën ta bëjnë pikërisht në Ditën Botërore të Tokës.

“Qe sa vite ambienti është katastrofë, askush nuk shikon me heq diçka. Mbeturinat më të vogla i hedhin menjëherë në tokë, qysh edhe po shihet gjendja kjo është veç një sipërfaqe e vogël krahasuar me krejt Kosovën”, tha Liza Xhaferi-aktiviste.

Për t’u zgjidhur ky problem, dikush rrugëdalje po e sheh gjobitjen.

“Gjoba kishte me qenë mirë qysh është në shtete të Evropës se ndoshta edhe njerëzit vetëdijësohen, me gjet mënyra institucionet më të mira, për me i vetëdijësu njerëzit”, u shpreh Liridon Lajçi-aktvist.

Organizatori i këtij aktiviteti të zhvilluar në afërsi të Liqenit të Badocit në kryeqytet, kësaj radhe kishte një kërkesë.

“Kërkesë që vitin e ardhshëm kjo ditë të bëhet ditë pushimi dhe në këtë ditë të gjithë qytetarët e këtij vendi të mobilizohen dhe të kontribuojnë në planetin Tokë, në shtëpinë tonë që e kemi në gjendje jo të mirë”, tha Luan Hasanaj.

Se cila është pengesa më e madhe që po shkakton ndotje mjedisi, tregon profesori i kësaj fushe, Sami Makolli.

“Ajo se çfarë i mungon vendit tonë është mungesa e planifikimit të gjatë urban. Derisa nuk ka planifikim, ka kaos, pra ka betonizim pa kritere, pa mundësinë e integrimit me mjedisin”, u shpreh ai.

Ndërsa vlerësohet se rol të rëndësishëm në ruajtën e tokës luan edhe arkitektura.

“Arkitektura dhe arkitekti si bartës i projekteve është njëri prej aktorëve kyç në ruajtjen e tokës dhe mjedisit në përgjithësi. I tërë zinxhiri i ndërtimit duke filluar prej procesit të planifikimit të hartimit të projekteve edhe ndërtimit munden me u vu në shërbim të ruajtjes së tokës”, tha Arsim Gërxhaliu.

Për ta mbajtur tokën të pastër, sipas njohësve, është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve.

 

Të Ngjashme