1
Deputetët në parlamentin turk u përleshën të mërkurën, ndërsa anëtarët e opozitës kryesore u përpoqën të bllokonin ministrin e sapoemëruar të Drejtësisë, Akin Gurlek, që të bënte betimin.
Që nga emërimi i tij si kryeprokuror i Stambollit në vitin 2024, Gurlek ka mbikëqyrur një valë arrestimesh dhe aktakuzash që kanë vënë në shënjestër Partinë Popullore Republikane (CHP), përfshirë hetime ndaj kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali kryesor politik i Erdoganit, i cili është burgosur që nga arrestimi i tij në mars të vitit të kaluar.
Erdogani e emëroi Gurlekun ministër të Drejtësisë të mërkurën, duke shkaktuar kritika të ashpra dhe kundërshtime nga CHP-ja.
Deputetët e CHP-së u përpoqën të pengonin Gurlekun t’i afrohej foltores për të bërë betimin në seancën plenare të parlamentit, çka çoi në shtyrje dhe grushte mes anëtarëve të dy partive, shkruan A2CNN.
Gurlek më pas e bëri betimin i rrethuar nga një grup deputetësh të Partisë AK, të cilët e brohoritën dhe e duartrokitën.
