Lajme

Këshilli Drejtues i PDK-së miraton Deklaratën: Kuvendi i Kosovës të votojë plotësim-ndryshimet e Ligjit të Speciales

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ka miratuar unanimisht Deklaratën Politike prej tri pikash, përmes së cilës është kërkuar votimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar financiare nga institucionet për mbrojtjen juridike, si dhe është ofruar përkrahje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë.

Këshilli Drejtues e ka kundërshtuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe ka kërkuar që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar shqyrtim institucional i kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara duke kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.

Po ashtu ka kërkuar mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel duke kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe institucionale, të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në procedurat e mëtejme juridike.

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi edhe mbështetje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë.

Të Ngjashme