Lajme

Këto janë krejt afatet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit

Së paku dy kandidatura me tridhjetë nënshkrime të deputetëve nevojiten për ta thirrur seancën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, thotë njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu.

Duke shpjeguar procedurat e zgjedhjes së presidentit, ai deklaron se në dy raundet e para kandidati duhet të marrë 80 vota për t’u zgjedhur president. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë president bëhet kandidati që siguron së paku 61 vota, por sërish me kusht që në seancë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Në të kundërtën, sipas tij, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Por, krahas kësaj, ai thotë se Kushtetuta është e heshtur nëse mund të ketë më shumë se një seancë për zgjedhjen e presidentit para datës 4 mars, kur edhe është afati i fundit për këtë proces.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars.

Këto janë procedurat për zgjedhjen e presidentit?

“Kushti i domosdoshëm për t’u nominuar dhe për të konkurruar për kandidat për president është që çdo qytetar i Kosovës që ka shtetësi kosovare dhe që ka moshën mbi 35 vjet, duhet t’i ketë së paku 30 nënshkrime të deputetëve, në mënyrë që të nominohet dhe të kandidojë, të konkurrojë atje në Kuvend. Pastaj, në seancën e Kuvendit që caktohet për ta zgjedhur presidentin, duhet të ketë votim të fshehtë, e para; e dyta, duhet të ketë kuorum prej së paku 80 deputetëve. E treta, të gjithë këta duhet të votojnë për, kundër ose të abstenojnë. Në dy raundet e para, pra, nëse kandidati zgjidhet me shumicë votash, zgjidhet. Nëse jo, në raundin e tretë Kushtetuta thotë që ka mundësi që me 61 deputetë të votohet presidenti apo presidentja e ardhshme. Në qoftë se nuk ndodh as në raundin e parë, as në të dytë, as në të tretin, Kushtetuta thotë që pastaj Kuvendi shpërndahet dhe brenda 45 ditësh organizohen domosdoshmërisht zgjedhjet e reja, të parakohshme dhe të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Sipas Baraliut, Kushtetuta nuk e përmend fare mundësinë ose jo të thirrjes së më shumë se një seance për zgjedhjen e presidentit para datës 4 mars, nëse ka ndonjë dështim eventual.

A mund të ketë më shumë se një seancë për zgjedhjen e presidentit?

“Kushtetuta është e heshtur, po e shpjegoj heshtjen e Kushtetutës, se a duhet dhe a mundet të organizohet një seancë tjetër, të cilën ti në pyetjen tënde e shtrove eventualisht që të ketë dy seanca e kështu me radhë. Pra, nuk është e definuar Kushtetuta në këto elemente. Mbetet që të interpretohet, natyrisht nga Kuvendi dhe eventualisht nga Gjykata Kushtetuese, nëse vijmë në situatë të tillë”, deklaron Baraliu.

Njohësi i Kushtetutës thotë se deputetët e kanë obligim të qëndrojnë në sallë në momentin e votimit të presidentit, derisa përmend aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

A duhet deputetët të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit?

“Në ato vendime të Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimet e saj, është thënë qartë dhe çiltër që deputetët, duke qenë përfaqësues të popullit, e kanë obligim që në rast të votimit të kryetarit apo nënkryetarit të Kuvendit të jenë të pranishëm në sallë dhe të votojnë për, kundër ose abstenim. E njëjta gjë vlen edhe në këtë rast dhe kjo është shumë e rëndësishme që po e shtron si pyetje dhe që të kuptohet, sepse nuk po përmendet shpesh ose nuk po i jepet rëndësi dhe theks i veçantë, se deputetët e opozitës, të cilët po paralajmërojnë, ose partitë politike, eksponentë të tyre, se nuk do të jenë, do të jenë, e kanë për detyrë të jenë aty dhe të votojnë për, kundër ose abstenim”, thekson Baraliu.

Ai ka edhe një thirrje për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që sipas tij duhet ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

Baraliu: LVV dhe LDK duhet ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente

“Mos kandidimi i zonjës Osmani nga Vetëvendosja do të sillte dëme dhe pasoja edhe Vetëvendosjes edhe LDK-së. Prandaj është në interesin e të dy këtyre partive, sepse ajo do të dalë, ka paralajmëruar ambiciet e saj politike, është e re, është e përgatitur, është mjaft e sprovuar dhe autoritative edhe në arenën ndërkombëtare dhe mund ta bëjë një parti politike. Dhe natyrisht që ajo parti politike do t’i konkurrojë, do të marrë vota, nëse shkohet në zgjedhje, sepse nëse nuk ka zgjedhje presidenti do të shkojmë në zgjedhje. Atëherë dëmton, patjetër e dëmton organikisht dhe esencialisht edhe LDK-në edhe Vetëvendosjen”, përfundon Baraliu.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur ambiciet për të kandiduar për një mandat tjetër pesëvjeçar, mirëpo deri tani nuk ka nisur mbledhjen e tridhjetë nënshkrimeve. Rishtazi kandidaturën për president e shpalli edhe anëtari i Akademisë së Shkencave, ish-zyrtari i PDK-së, Arsim Bajrami. 

Të Ngjashme