Renditja globale e universiteteve për vitin 2026 konfirmon një garë të fortë mes SHBA-së, Britanisë dhe Europës, ndërsa në skenë po dalin gjithnjë e më shumë edhe emra surprizë nga Azia dhe Italia.
Nëse po mendon të studiosh jashtë, kjo renditje e fundit është një guidë e vlefshme për të kuptuar se ku ndodhen institucionet më të forta dhe cilat janë zgjedhjet më të mira sipas fushave të studimit.
Universitetet elitare si Harvard University, Massachusetts Institute of Technology (MIT), Stanford University, University of Cambridge dhe University College London (UCL) vijojnë të dominojnë në shumë disiplina, duke mbajtur pozicionet kryesore në nivel global.
Sipas klasifikimit “QS Ranking by Subject”, i cili analizon mijëra programe studimi në mbarë botën, Harvard renditet i pari në ekonomi, biznes dhe marketing, ndërsa MIT dhe Stanford kryesojnë në teknologji dhe shkenca. Në Europë, institucione si Cambridge, Oxford dhe UCL mbeten pika referimi për cilësinë akademike.
Megjithatë, renditja e këtij viti tregon një zhvendosje të balancave globale. Universitetet kineze, si Fudan University në Shangai dhe Peking University në Pekin, kanë bërë një ngjitje të ndjeshme dhe në disa fusha kanë arritur të lënë pas edhe universitete tradicionale europiane.
Një rast i veçantë është Universiteti “La Sapienza” në Romë, i cili për të gjashtin vit radhazi renditet i pari në botë për “Letra klasike dhe histori antike”. Ai mban gjithashtu një pozicion shumë të lartë në histori arti dhe arkeologji, duke konfirmuar forcën e tij në shkencat humanistike.
Italia shfaqet fuqishëm edhe përmes Politecnico di Milano, një nga më të mirët në botë për arkitekturë dhe design, si dhe Università Bocconi, që renditet në top 10 global për marketing dhe biznes. Ndërkohë, Scuola Normale Superiore di Pisa vazhdon të jetë pjesë e elitës botërore për studimet klasike.
Edhe universitete të tjera të njohura ndërkombëtarisht dominojnë fusha të caktuara. Royal College of Art në Londër renditet numri një në botë për art dhe design, ndërsa University of Pennsylvania dhe The New School në New York spikasin në fushat kreative dhe të biznesit.
Në thelb, kjo renditje tregon se zgjedhja e universitetit nuk duhet të bazohet vetëm te emri apo prestigji, por mbi të gjitha te fusha ku ai institucion është më i fortë. Shpesh, universitetet që nuk kryesojnë renditjen globale janë liderë absolutë në degë specifike.
Për studentët shqiptarë që synojnë studimet jashtë vendit, kjo është një mundësi për të bërë një zgjedhje më të zgjuar: të fokusohen jo vetëm te “brand-i”, por te drejtimi që duan të ndjekin — sepse në fund, aty qëndron diferenca.
/tiranapost
